Transmetuar më 25-03-2026, 21:10

Pasuritë e paluajtshme kanë kryesuar për të katërtin vit radhazi investimet e huaja në ekonominë shqiptare, duke shënuar një tjetër rekord historik.

Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2025 investimet e huaja në pasuri të paluajtshme arritën në 561 milionë euro, me një rritje prej 48% krahasuar me vitin paraardhës.

Ky sektor përbëri mbi 34% të totalit të investimeve të huaja direkte, duke rritur ndjeshëm peshën e tij në strukturën e investimeve, nga 24% që ishte një vit më parë. Vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2025, investimet në këtë sektor arritën në 158 milionë euro, ose 43% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024.

Rritja e tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri vijon të mbështetet kryesisht nga kërkesa e investitorëve të huaj, veçanërisht në zonat bregdetare, ku çmimet, megjithëse në rritje, mbeten konkurruese në raport me vendet e tjera të rajonit. Njëkohësisht, rritja e çmimeve ka shtuar interesin për blerje me qëllim investimi.

Në fund të vitit 2025, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme arriti në 2.63 miliardë euro, në rritje me 29% krahasuar me një vit më parë. Në dekadën e fundit, ky stok është rritur pothuajse 17 herë, ndikuar jo vetëm nga flukset e reja, por edhe nga kursi i këmbimit dhe rritja e vlerës së pronave.

Pas pasurive të paluajtshme, sektori i shërbimeve financiare renditet i dyti për nga pesha në investimet e huaja direkte, me 291 milionë euro, ose rreth 18% të totalit. Ky sektor ka shënuar një rritje modeste prej 1.4% në krahasim me vitin 2024 dhe mbetet i mbështetur nga fitimet e larta dhe kërkesat rregullatore për kapital.

Në vend të tretë renditet tregtia, me 162 milionë euro investime, që përbëjnë rreth 10% të totalit vjetor, duke shënuar një rritje të fortë prej 51% krahasuar me një vit më parë. Kjo rritje lidhet kryesisht me blerje të rëndësishme nga biznese me origjinë nga Kosova.

Ndërkohë, investimet në industrinë nxjerrëse ranë në 161 milionë euro, ose 25% më pak krahasuar me vitin 2024, pas tërheqjes së kompanisë Shell. Ky sektor mbetet i dominuar nga aktiviteti i Bankers Petroleum, ndërsa stoku i investimeve arriti në 2.72 miliardë euro.

Rënie ka shënuar edhe sektori energjetik, ku investimet zbritën në 107 milionë euro, 38% më pak se një vit më parë. Megjithatë, energjetika vijon të mbajë peshën më të madhe në stokun e investimeve të huaja direkte, me 3.84 miliardë euro.

Në total, investimet e huaja direkte në Shqipëri gjatë vitit 2025 arritën në nivelin rekord prej 1.65 miliardë eurosh, duke shënuar rritje të lehtë prej 1% në krahasim me vitin 2024.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit