

Një veprim i papritur nga FIFA ka tërhequr vëmendjen e industrisë së turizmit dhe mikpritjes, pasi organizata ka anuluar rreth 2 mijë dhoma hoteli në disa prej qyteteve pritëse të Kupës së Botës 2026, vetëm pak muaj përpara nisjes së turneut.
Sipas Shoqatës së Hoteleve në Filadelfia, anulimet përfshijnë katër hotele të vendosura në qendër të qytetit. Më herët, FIFA kishte rezervuar rreth 10 mijë dhoma në këtë zonë, por një pjesë e konsiderueshme e tyre është liruar pa ndonjë shpjegim zyrtar.
Presidenti i shoqatës lokale të hoteleve, Ed Grose, e cilësoi vendimin si të papritur, por jo shqetësues për sektorin. “Nuk ishte diçka që na pëlqeu, por nuk është as fundi i botës. Këto dhoma do të rikthehen në treg dhe mund të rezervohen nga tifozët që planifikojnë të udhëtojnë drejt Filadelfias,” u shpreh ai.
Një situatë e ngjashme është raportuar edhe në Mexico City, një tjetër qytet pritës i Botërorit. Sipas përfaqësuesve të industrisë hoteliere atje, nga 2 mijë dhoma të rezervuara fillimisht, rreth 800 janë anuluar nga FIFA.
Burime nga sektori i turizmit në Meksikë bëjnë të ditur se këto anulime lidhen me një rishikim të nevojave organizative nga ana e FIFA-s. Sipas tyre, rezervimet paraprake ishin bërë për të shmangur mungesat gjatë turneut, por më pas është vlerësuar se një pjesë e tyre nuk do të ishte e nevojshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






