Transmetuar më 25-03-2026, 17:10

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur të shpallë të paligjshëm një dispozitë që kufizonte të drejtën e pensionistëve kontributpagues për të përfituar nga kualifikimi arsimor i fituar pas 1 janarit 1991.

Sipas vendimit, është shfuqizuar paragrafi 5 i nenit 5 të një udhëzimi administrativ të miratuar në vitin 2015, i cili rregullonte kategorizimin e përfituesve të pensioneve kontributpaguese në bazë të nivelit të arsimit dhe viteve të kontributeve.

Dispozita e kontestuar kërkonte që pensionistët të dëshmonin kualifikimin arsimor – të mesëm, të lartë apo universitar – të përfituar para datës 1 janar 1991, si kusht për përfitimin e plotë të pensionit.

Në arsyetimin e saj, gjykata thekson se ky kufizim nuk ka bazë ligjore dhe përbën tejkalim të kompetencave të parashikuara nga ligji. Sipas saj, legjislacioni për skemat pensionale nuk e lidh të drejtën për pension me kohën e përfitimit të arsimit, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve të tjera ligjore.

Po ashtu, gjykata e cilësoi këtë kufizim si “arbitrar”, pa një qëllim të qartë legjitim dhe joproporcional, pasi përjashtonte një kategori të tërë pensionistësh që kishin përmbushur kriteret ligjore vetëm për shkak të kohës së përfundimit të arsimit.

Sipas vendimit, dispozita e shfuqizuar bie ndesh me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Në Kosova ekzistojnë disa kategori pensionesh. Pensioni bazë i moshës është 150 euro, ndërsa pensioni kontributpagues varion nga 218 deri në 318 euro në muaj, në varësi të nivelit të kualifikimit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit