

Atentati ndaj Ardian Nikulaj/ Gjykata dënon me burg përjetë portugezin Ruben Saraiva
Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm autorin e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj. Sipas burimeve paraprake, trupa gjykuese ka dhënë dënimin maksimal për shtetasin portugez Ruben Saraiva.
Seanca gjyqësore u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, ndërsa në sallë ishin të pranishëm edhe familjarë të viktimës.
Më 3 mars, Prokuroria e Lezhës paraqiti pretencën, duke kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për të pandehurin. Sipas hetimeve, ai akuzohej për veprat penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ka rrënjë të hershme, që datojnë që nga viti 1997, kur vëllai i viktimës, Pëllumb Nikulaj, i punësuar si roje sigurie në një karburant, u përfshi në një konflikt me familjen Lekstakaj lidhur me një pagesë të papaguar.
Sipas të dhënave, disa orë pas konfliktit, një grup i armatosur u paraqit në vendngjarje dhe ekzekutoi Pëllumb Nikulajn dhe një tjetër person. Në vitet në vijim u regjistruan edhe disa vrasje të tjera mes palëve, duke thelluar armiqësinë.
Pas një periudhe të gjatë qetësie, konflikti u rikthye në prill të vitit 2023 në Shëngjin, ku Ardian Nikulaj u qëllua për vdekje në ambientet e biznesit të tij, pranë hotelit “Coral”.
Ngjarja konsiderohet si pjesë e një konflikti të vjetër mes familjeve, i cili u riaktivizua pas më shumë se dy dekadash.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






