

ROSKOVEC – Të tjera detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga krimi në familje i ndodhur në Roskovec, ku një 75-vjeçare humbi jetën, dyshohet e vrarë nga një i afërm i saj.
Në një deklaratë për mediat, vëllai i viktimës, Ermal Azizaj, ka rrëfyer momentin kur mori lajmin dhe ka hedhur akuza të forta ndaj autorit të dyshuar, duke e cilësuar atë si person problematik dhe të dhunshëm.
Sipas tij, lajmin e mori përmes një telefonate nga nipi:
“Na thanë se kishte ndodhur më e keqja. Shpresuam ta gjenim gjallë, por ishte vonë”, u shpreh ai.
Azizaj theksoi se autori i dyshuar kishte shfaqur prej kohësh sjellje agresive dhe kishte krijuar konflikte të vazhdueshme në familje. Ai përmendi gjithashtu incidente të mëparshme dhe ndërhyrje të policisë për mosmarrëveshje familjare.
“Ka qenë gjithmonë problematik. Motra jonë për vite me radhë e ka mbrojtur dhe ka duruar situata të vështira,” deklaroi ai.
Familjari shtoi se konflikte të fundit kishin ndodhur edhe ditët e fundit, duke përfshirë mosmarrëveshje për çështje pronësie dhe përdorimi toke.
Në lidhje me viktimën, ai bëri të ditur se familja do ta përcjellë për në banesën e fundit pranë prindërve, ndërsa shprehu indinjatë të thellë ndaj autorit të dyshuar.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






