

Sot shënohen 27 vjet nga masakra në Krushë e Madhe, një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë gjatë viteve 1998–1999.
Nga 25 deri më 27 mars 1999, forcat serbe vranë 243 civilë shqiptarë në këtë fshat të komunës së Rahovecit, ndërsa u dogjën 893 shtëpi private dhe objekte shoqërore. Kjo masakër konsiderohet më e madhja e kryer në territorin e Kosovës gjatë konfliktit.
Edhe pas më shumë se dy dekadash, shumë persona nga Krushë e Madhe vazhdojnë të figurojnë të zhdukur, ndërsa familjet e tyre ende presin zbardhjen e fatit të të afërmve.
Masakra ishte pjesë e aktakuzave për krime lufte ndaj ish-udhëheqësit serb Slobodan Milošević dhe zyrtarëve të tjerë politikë e ushtarakë të kohës. Megjithatë, pavarësisht përfshirjes në proceset ndërkombëtare, për këtë krim nuk është zhvilluar një hetim i plotë dhe askush nuk është dënuar drejtpërdrejt për ngjarjet në këtë fshat.
Përvjetori shënohet çdo vit me homazhe dhe aktivitete përkujtimore në nder të viktimave, duke rikujtuar nevojën për drejtësi dhe zbardhje të plotë të krimeve të kryera gjatë luftës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






