

Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa autoritetet iraniane kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me mundësinë e negociatave.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars News Agency, nënkoloneli Ebrahim Zolfaghari, zëdhënës i një strukture qendrore ushtarake në Iran, deklaroi se Shtetet e Bashkuara “po negociojnë me veten e tyre”, duke ironizuar qëndrimet e Uashingtonit zyrtar.
“A kanë arritur konfliktet tuaja të brendshme në pikën ku po negocioni me veten tuaj? Mos e quani dështimin tuaj një marrëveshje”, citohet të ketë thënë ai.
Në deklaratën e tij, Zolfaghari theksoi se nuk pritet rikthim në situatat e mëparshme, përfshirë edhe çështjet që lidhen me tregjet e energjisë, pa një ndryshim të qasjes ndaj Iranit. Ai shtoi se çdo përmirësim i marrëdhënieve do të varet nga heqja dorë e plotë nga veprimet armiqësore ndaj vendit të tij.
Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike njoftoi se ka ndërmarrë një valë të re sulmesh me raketa dhe dronë. Sipas raportimeve, objektiva të këtyre sulmeve kanë qenë zona në Izrael, përfshirë Tel Aviv, si dhe baza ushtarake të lidhura me SHBA-të në Kuvajt, Bahrein dhe Jordani.
Autoritetet iraniane bëjnë të ditur se në këto operacione janë përdorur raketa me precizion të lartë, me lëndë djegëse të lëngshme dhe të ngurta, si dhe mjete ajrore pa pilot, të njohura si dronë vetëvrasës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






