

SERBI – Policia serbe ka arrestuar sot katër shtetas shqiptarë, të cilët akuzohen për nxitje të urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare, pas shfaqjes së bluza me motive kombëtare në territorin e Serbisë.
Të arrestuarit janë: A.S. (37 vjeç), E.V. (42 vjeç), E.G. (48 vjeç) dhe A.C. (21 vjeç). Sipas raportimeve, A.S. ka postuar sot një video në llogarinë e tij në Facebook, ku shfaqet brenda një makine të tipit Audi në shoqërinë e të dyshuarve të tjerë, duke treguar simbolet e “Shqipërisë Etnike”.
Të dyshuarve u është urdhëruar paraburgimi deri në 48 orë, pas së cilës ata do të paraqiten në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, ku do të përballen me kallëzim penal për veprën e dyshuar penale.
Ngjarja ka shkaktuar tensione në komunitetin lokal dhe vëzhguesit paralajmërojnë për rëndësinë e menaxhimit të situatave të tilla për të shmangur përshkallëzime etnike.
Policia serbe shkruan:
Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Policisë Kriminalistike, kanë arrestuar në territorin e Republikës së Serbisë A. S. (1989), E. V. (1984), E. G. (1978) dhe A. C. (2005), shtetas të Republikës së Shqipërisë, pasi dyshohen se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare.
Dyshohet se A. S. sot, në ditën e shënimit të fillimit të bombardimeve të NATO-s, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka publikuar një video në të cilin ndodhet në një automjet “Audi”, në shoqëri me të dyshuarit e tjerë, gjatë lëvizjes në autostradë nëpër Serbi, ku në mënyrë të papërshtatshme kanë shfaqur simbole të “Shqipërisë së Madhe”, si dhe në mënyrë verbale, në kontekst negativ, kanë përmendur Republikën e Serbisë, duke përdorur fjalë të papërshtatshme.
Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës, me kallëzim penal, do të dërgohen në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd – Departamenti i posaçëm për luftimin e krimit të teknologjisë së lartë.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






