Transmetuar më 24-03-2026, 21:21

FIER, 24 mars 2026 – Janë zbardhur detaje të reja nga tragjedia familjare në Roskovec, ku i moshuari Shefit Rrapaj vrau bashkëshorten e tij, Dashuria Rrapaj, dhe më pas i dha fund jetës brenda banesës.

Sipas burimeve policore, djali i çiftit ka dëshmuar se në momentin e ngjarjes ndodhej në Fier, ku kishte shkuar për një konsultë mjekësore. Lëvizjet e tij janë verifikuar edhe përmes kamerave të sigurisë.

Në dëshminë e tij, ai ka treguar se i ati kishte natyrë konfliktuale dhe se tensionet në familje kishin qenë të vazhdueshme. Sipas tij, përplasja e fundit kishte ndodhur rreth 10 ditë para ngjarjes, për një arsye banale, pasi ai kishte hedhur pleh në patatet e mbjella në oborr. Ky debat kishte përfunduar edhe në komisariatin e Roskovecit, ndërsa nëna, sipas tij, i dilte shpesh në mbrojtje.

Djali ka rrëfyer se, pasi është kthyer nga Fieri, i ka gjetur të dy prindërit pa shenja jete në banesë. Fillimisht ka njoftuar një të afërm dhe më pas policinë.

Nga hetimet paraprake rezulton se arma e përdorur në krim është një pushkë e vjetër, e cila dyshohet se mbahej e fshehur që prej vitit 1997. Ajo është gjetur e mbuluar me dhe dhe dyshohet se është përdorur dy herë: një herë për vrasjen e bashkëshortes dhe më pas nga autori për t’i dhënë fund jetës.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë familjare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit