

DURRËS, 24 mars 2026 – Dy anëtarët e Këshillit Bashkiak të Durrësit, Dritan Burgija dhe Arlind Boshku, kanë reaguar pas përjashtimit nga grupi i Partia Demokratike e Shqipërisë, duke e cilësuar vendimin të padrejtë dhe të motivuar politikisht.
Përmes një reagimi publik, Burgija e konsideron përjashtimin si një akt “absurd, arrogant dhe të paburrë”, ndërsa thekson se kontributi i tij në parti ka qenë i gjatë dhe i pandërprerë, që nga rinia dhe në periudha të vështira për forcën politike. Ai nënvizon se lëvizja për rithemelim nuk ishte luks politik, por një domosdoshmëri morale dhe historike për të shpëtuar Partinë Demokratike nga zhbërja dhe deformimi.
Ndërkohë, edhe Boshku e cilëson vendimin të padrejtë, duke deklaruar se arsyeja zyrtare – një takim me Ervin Salianji – është vetëm një pretekst. Sipas tij, prej muajsh ai dhe të tjerë kanë kërkuar reflektim për humbjet dhe vendosjen e meritokracisë brenda partisë.
Reagimi i plotë i Dritan Burgijës
“Të nderuar demokratë, miq, shokë, bashkëpunëtorë dhe kolegë, që na ka bashkuar ideali demokratik, mendimi i lirë dhe revolta ndaj padrejtësisë. Kontributi im personal dhe familjar në Partinë Demokratike, si pasardhës i një shtrese të përndjekur, nuk është çështje fjalësh, por qëndrimi. Ky kontribut nuk matet me deklarata, por me praninë në përballje, me rezistencën ndaj padrejtësisë, me sakrificën dhe me besnikërinë ndaj një kauze që nuk është tradhtuar as në ditët më të vështira.
Ky rrugëtim ka nisur herët, që në rini, kur ishim në vijën e parë përballë diktaturës në grahmat e saj të fundit, dhe ka vijuar pa ndërprerje ndër vite: si anëtar, komisioner, numërues, anëtar kryesie, koordinator në zona të caktuara, nënkryetar, kryetar i PD Durrës, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe i Këshillit Bashkiak. Kam qenë dhe kam qëndruar aty ku duhej të isha, jo në ditët e lehta, por në momentet e vështira, kur Partia Demokratike kishte nevojë për qëndresë; jo për heshtje, por për karakter; jo për servilizëm.
Miq demokratë, ne jemi njerëzit e lirisë, të së vërtetës dhe të drejtësisë. Për këto vlera kemi punuar pa kushte dhe për këto vlera u ngritëm në rithemelim. Rithemelimi nuk ishte luks politik, por domosdoshmëri morale dhe historike për të shpëtuar Partinë Demokratike nga zhbërja, kapja dhe deformimi. Unë jam pjesë e kësaj qëndrese. Kam ngritur zërin, kam folur hapur dhe kam qëndruar krah çdo demokrati të ndershëm për të thënë të vërtetat tona mes nesh, jo për të dëmtuar Partinë Demokratike, por për ta ndrequr atë; jo për ta dobësuar, por për ta kthyer te vlerat, te parimet dhe te dinjiteti i saj. Dhe nuk jam i vetëm në këtë rrugëtim, sepse kjo nuk është beteja e një individi, por e çdo demokrati që refuzon heshtjen, nënshtrimin dhe mashtrimin.
Por pikërisht këtu qëndron edhe problemi! Kjo është vija e kuqe që kanë ngritur kundër nesh çdo kryetar i mbyllur në vetvete dhe çdo servil i pushtetit: të mos flasim, të mos kërkojmë llogari, të mos kërkojmë standarde, të mos kërkojmë garë. Ndërkohë që ne kërkojmë fitore, ata ofrojnë pazare, kulisa dhe lista të bunkerizuara me akrobaci ligjore. Ndërkohë që ne kërkojmë hapje, gjithëpërfshirje të kontributeve ndër vite, garë reale, standarde politike, konkurrim të ndershëm, analizë të sinqertë dhe program veprimi; përgjigjja që vjen është shpifja, denigrimi, arroganca dhe në fund përjashtimi. Ky nuk është reagim force, por akt frike. Nuk është vendim politik, por shenjë paniku nga e vërteta.
Kemi të bëjmë me një vendim absurd, arrogant, të pabazë dhe të paburrë, që nuk turpëron ata që u përjashtuan, por ata që e hartuan dhe e firmosën, e që flasin në emër të besës e që vetëm besë nuk kanë. Është një akt jashtë çdo parashikimi statutor, jashtë çdo procedure, pa legjitimitet, pa standard dhe pa dinjitet politik. Një akt qesharak në formë dhe i mjerë në përmbajtje, që zbulon fytyrën e vërtetë të atyre që nuk durojnë mendimin ndryshe, nuk pranojnë garën dhe nuk u besojnë demokratëve. Ju garantoj se mbetem besnik i demokracisë, qëndrimeve dhe bindjeve të mia, me të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi, sepse askush nuk ka as tagrin dhe as të drejtën morale e politike të fshijë me firmë kontributin, sakrificën dhe historinë e askujt në Partinë Demokratike.”
Reagimi i plotë i Arlind Boshkut
“Prej 35 vitesh familjarisht kemi kontribuar për Partinë Demokratike. Kemi qenë aty në çdo betejë: anëtarë komisionesh, pjesë e çdo fushate, drejtues seksionesh e grupseksionesh, nënkryetar dege dhe sot sekretar dege.
Gjithmonë me një parim: pa kërkuar asgjë në këmbim dhe me përpjekje tona financiare. Por e vërteta duhet thënë. Ndërkohë që ne mbulonim fushatat me kontributet tona, drejtues dhe kandidatë i kanë trajtuar këto sakrifica si pronë private, pa transparencë, pa përgjegjësi dhe pa asnjë mbështetje reale për strukturat në terren.
Së fundmi morëm një vendim absurd: përjashtimin tonë nga Këshilli i Partisë Demokratike. Arsyeja? Një takim me Ervin Salianji. E vërteta është tjetër. Prej muajsh kemi kërkuar reflektim për humbjet e njëpasnjëshme dhe vendosjen e rregullave të qarta për meritokracinë dhe promovimin brenda partisë. Kemi kërkuar diçka elementare: që anëtarët të vendosin për lidershipin, jo lidershipi të përzgjedhë anëtarët sipas interesit për të mbajtur peng partinë.
Shpifjet se ne nuk jemi më me Partinë Demokratike janë qesharake. Ne kemi qenë dhe jemi në terren, në fushatë dhe në çdo përballje politike.
Ajo që nuk pranojmë është heshtja përballë dështimit dhe abuzimit. Për më tepër, është e papranueshme që, para dhe pas zgjedhjeve, të kërkohen ‘kontribute’ financiare pa asnjë transparencë apo dokumentacion. Partia nuk mund të trajtohet si biznes privat dhe as si mjet për luksin e disa individëve.
Partia Demokratike është e demokratëve, jo e një grupi që kërkon ta mbajë të uzurpuar. Kontributin tim në këtë parti nuk mund ta fshijë askush.”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






