

DURRËS – Sekretari i Përgjithshëm i Flamur Noka ka reaguar ndaj deklaratave të ish-deputetit Ervin Salianji, lidhur me përjashtimin e dy këshilltarëve nga grupi i Partisë Demokratike të Shqipërisë në Bashkinë e Durrësit.
Përmes një njoftimi për mediat, Noka sqaroi se vendimi për largimin e tyre është marrë me kërkesë të degës lokale të PD-së në Durrës, e cila, sipas tij, e kishte depozituar këtë kërkesë më herët.
Sipas Nokës, një prej këshilltarëve, Arlind Boshku, rezulton të ketë punuar për Partinë Socialiste të Shqipërisë gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025. Ndërkohë, këshilltari tjetër, Dritan Burgija, akuzohet se ka shfrytëzuar postin për përfitime personale nga Bashkia e Durrësit dhe gjithashtu ka bashkëpunuar me këtë forcë politike.
Në reagimin e tij, Noka hodhi poshtë interpretimet e tjera, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
“Lidhur me dizinformimin e mediave të qeverisë për motivin e vendimit për largimin e dy këshilltarëve nga grupi i këshilltarëve të PD-së në Bashkinë e Durrësit, sqarojmë sa vijon: Dy këshilltarët janë larguar me kërkesë të Degës së PD Durrës, e cila e ka depozituar këtë kërkesë kohë më parë. Çdo interpretim tjetër është trillim,” thuhet në deklaratën e tij.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






