Transmetuar më 24-03-2026, 17:49

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj një interviste të komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.

Sipas tij, BE duhet të distancohet nga qendrimet e saj për shqiptarët.

“Reagim i detyruar!

I pabesueshëm qëndrimi i Komisioneres së Zgjerimit znj. Marta Kos, që është shpërndarë në median shqiptare në vijim të një interviste të saj në Politico, që bën bashkëpërgjegjës për korrupsionin e Edi Ramës shoqërinë shqiptare.

Jo e nderuar znj. Komisionere;

Shoqëria shqiptare nuk e pranon korrupsionin, shqiptarët nuk janë të korruptuar.

Përgjegjësia për korrupsionin dhe pranimin e mbrojtjen e tij është vetëm personale e Edi Ramës. Korrupsionin e Belinda Ballukut nuk e kanë pranuar shqiptarët, por e ka mbrojtur Edi Rama me deputetët – kartona në Kuvendin e Shqipërisë.

SPAK nuk po e pengon shoqëria shqiptare të luftojë korrupsionin, por po e pengon Edi Rama që po ndërhynë në hetimet e një çështje konkrete.

Ju nuk keni asnjë të drejtë të fyeni shoqërinë shqiptare, që është populli më proeuropian në botë.

Ne e përbuzim përgjithësimin dhe vlerësimin tuaj për shoqërinë shqiptare, dhe kërkojmë me këmbëngulje distancimin e institucioneve europiane mbi përgjithësime të tilla të papërshtashme për shqiptarët”, shkruan Bardhi.

Teksa foli për situatën e korrupsionit në Shqipëri dhe çështjen e Belinda Ballukut, Marta Kos deklaroi se:

“Një tjetër element në luftën kundër korrupsionit, sidomos për vendet kandidate, është se ti mund të kesh legjislacionin më të mirë por nëse korrupsioni është i pranuar në ato vende, atëherë ka një problem tjetër. Pra të gjithë ato vende po shkojnë drejt një procesi të ndryshimit të mendësisë të korrupsionit dhe për këtë do të duhet kohë.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit