

Tiranë, 24 mars 2026 – Debat në sallën e gjyqit gjatë seancës ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me përfaqësimin e tij ligjor.
Veliaj kërkoi ndryshimin e avokatit, duke propozuar si mbrojtës të ri Plarent Ndreca. Ky i fundit mori pjesë në seancë dhe kërkoi të legjitimohej si përfaqësues ligjor në këtë fazë të procesit.
Kërkesa u kundërshtua nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili argumentoi se Ndreca është marrë në pyetje gjatë hetimeve paraprake si person në dijeni, çka sipas tij mund të krijojë papajtueshmëri ligjore për rolin e mbrojtësit.
Nga ana e tij, Plarent Ndreca kundërshtoi këtë qëndrim, duke deklaruar se dëshmitë e dhëna në fazën paraprake nuk përbëjnë provë dhe nuk ndikojnë në përfaqësimin ligjor të klientit.
Pavarësisht debatit mes palëve, trupa gjykuese vendosi të pranojë kërkesën, duke lejuar që Plarent Ndreca të jetë avokati i ri i Erion Veliaj në vijim të procesit gjyqësor. Pjesë nga debati në sallë:
Plarent Ndreca: Kam një kërkesë si detyrim ligjor. Në vlerësim të ligjit nuk jemi në kushtet e papajtueshmërisë. Nuk përbëjnë provë të dhënat e hetimit paraprak. Unë jam pyetur për njohjet me Veliajn dhe Xoxën, por edhe për kompani nëse kam njohje, por nuk rezulton.
Jam pyetur për një foto që është gjetur në zyrat e Xoxës, por unë nuk kam pasur lidhje. Thëniet që unë kam bërë s’kanë lidhje me këtë proces dhe nuk cenojnë interesin e gjykimit. Nuk jemi në kushte papajtueshmërie.
Altin Dumani: Është vlerësimi juaj nëse e legjitimon. Sepse për ne s’ka ndonjë pengesë, por duhet parë ligji. Të shmanget mundësia e një pavlefshmërie apo dështimi të arsyeshëm, kaq kishim këtë merak.
Ndreca: Kështu e komentova si një merak. Por e sqarova dhe lidhjet dhe thëniet e mia nuk kanë asnjë interes të ndërsjellë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






