

Tiranë – Sot mbahet seanca e dytë e gjyqit në themel për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe për 28 persona dhe shoqëri të përfshira në të njëjtën dosje.
Në seancën e parë, të zhvilluar më 9 mars, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pranoi kërkesën e përsëritur të Veliajt për t’u njohur me të gjitha aktet e dosjes hetimore, duke i dhënë atij mundësinë për një mbrojtje më të plotë.
Veliaj nuk ishte i pranishëm në atë seancë dhe u përfaqësua nga avokatja e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku. Në një deklaratë, ai pretendoi se nuk ishte zhvilluar ende seanca paraprake dhe se, sipas tij, çështja nuk mund të kalonte në fazën e gjykimit në themel.
Një ditë pas pranimit të kërkesës nga GJKKO, Prokuroria e Posaçme (SPAK), përmes agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i dorëzoi 28 mijë faqe materiale nga 72 fashikujt e dosjes, në funksion të së drejtës për mbrojtje efektive.
Në seancën e parë mungoi edhe Ajola Xoxa, e cila u përfaqësua nga avokati Maks Haxhia. Ky i fundit informoi gjykatën se ajo ndodhet në gjendje shtatzënie dhe, për arsye shëndetësore, i është ndaluar lëvizja nga mjeku.
Po ashtu, munguan fizikisht edhe të pandehurit e tjerë – Klotilda Bushka, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu – të cilët u përfaqësuan nga avokatët e tyre. I vetmi i pandehur që u paraqit personalisht ishte biznesmeni Elman Abule, i cili deklaroi se do të jetë i pranishëm edhe në vijim të procesit.
Gjykata e Posaçme vendosi kalimin për gjykim të dosjes më 9 shkurt, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest që prej 10 shkurtit 2025. SPAK kishte depozituar kërkesën për kalimin e çështjes për gjykim rreth pesë muaj më parë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






