

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në ‘Foltoren‘ para kryeministrisë ka sulmuar sërish Edi Ramën dhe shumicën e tij parlamentare. Ai deklaroi se, parlamenti është zero dhe se Edi Rama refuzon çdo pyetje dhe interpelancë.
‘Në Tiranë është instaluar një parlament. Ftoj qytetarët, ata 600 mijë shqiptarë, që edhe në kushte terrori, votuan për deputetët e opozitës, t’i shtrojnë pyetjen vetes, cili është roli i këtyre deputetëve në parlament. Ky rol është zero. Është zero. Është zero.
Në parlament, sovrani ka votuar që këta të kërkojnë llogari qeverisë për qëndrimet e saj. 7 muaj ka që kryehajduti i kombit refuzon në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjet e vendit, çdo pyetje dhe interpelancë në parlament’, tha Berisha.
Kryedemokrati tha se opozita është e vendosur në kryengritjen e saj paqësore, sepse kjo e çon në fitore. Duke folur para qytetarëve të mbledhur para kryeministrisë në foltoren e përjavshme, Berisha u ka dhënë përgjigje dhe të gjithë atyre që akuzojnë për dhunë opozitën. ‘Por përcaktimi ynë për kryengritje paqësore buron jo nga mëshira ndaj tyre, se ata nuk meritojnë asnjë mëshirë, se ata meritojnë ndëshkimet më të mëdha, por buron nga bindja se kryengritja paqësore na çon ne në fitore. Na sjell ne në fitore’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
Lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve se janë shpresa e vetme për ta çliruar Shqipërisë dhe për të larguar Edi Ramën. ‘Ju jeni shpresa e vetme, ‘dhëmbët’ e Skapit të partisë mbetën në vithet e Lubi Ballukut’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në protestën e përjavshme përpara Kryeministrisë.
Duke folur para qytetarëve në ‘Foltoren’ tek kryeministria, Berisha u shpreh se, shqiptarët dhe njerëzit e lirë në mbarë botën, mezi presin protestat e opozitës. ‘Protestat tona nga dhjetori gjer sot, kohë në të cilën Europa dhe bota e pa se si në Shqipëri zëvendëskryeministrja ka vjedhur miliona dhe miliarda me kryeministrin dhe ai e mbron, ai nuk i heq imunitetin, ai është i gatshëm të ndryshojë ligjet, nuk ka ndodhur kurrë kjo në ndonjë vend tjetër’, u shpreh kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij në ‘Foltoren’ para kryeministrisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






