

TIRANË- Ish-deputeti Ervin Salianji ka folur për kritikat e tij ndaj lidershipit të Partisë Demokratike. Në Tv Klan, Salianji komentoi sonte edhe deklaratën e Berishës. Ky i fundit ka thënë se Salianji, gjatë një takimi në banesën e tij, i kishte thënë se duhet të firmoste, për të dalë nga burgu, një deklaratë se nuk do e vriste Fatmir Xhafajn.
Në përgjigjen e tij, Salianji u shpreh se kjo është vetëm një shpifje. Ai shtoi se nuk ka zgjedhur që të godasë as Berishën e as ndonjë figurë tjetër të Partisë Demokratike nën brez, duke shtuar se nëse vijohet me biseda që janë private, mund të nxjerrë shumë “të palara” sheshit.
Salianji deklaroi se Partia Demokratike nuk është pronë private. Ai tha se ka të gjithë të drejtën e botës, që të kandidojë për kryetar të PD-së.
“Kam qenë në shtëpinë e Berishës kur kam qenë me leje. Diskrecioni është pjesë e burrërisë. Kur përhap çfarë diskutohet në shtëpi nuk është normale, se çfarë diskutohet në një banesë mbetet në shtëpi. Këto janë biseda të shpikura. Është një deklaratë e shpikur. Është njësoj sikur të them unë sot që do vras Ajatullahun. Nëse duan të bëjnë biseda tavolinash, mund të hap disa biseda të tjera. Kjo deklaratë e Berishës ishte një turp.
Unë po kërkoj garë. Garat e bashkojnë partinë. As presioni e as kërcënimi nuk ecën me mua. Ka që më 2022 që Berisha tha se nuk më vjedhin zgjedhjet dhe ia vodhën. PD është e lidhur me elementë të Partisë Socialiste. Këta janë bashkë. Neni i PD-së thotë se nëse Partia Demokratike nuk fiton zgjedhjet, kryetari ikën. Por unë as këtë nuk po i them, por po i them që më lejo të jem kandidat për kryetar të Partisë Demokratike, se kjo është absurde, që nuk kandidonkam dot.
Patjetër që unë do të jem në garë për kryetarin e Partisë Demokratike. Është një ndarje mendimesh me Sali Berishën, sepse unë nuk jam marrë personalisht me askënd. PD, kështu siç është, nuk fiton dot. Më akuzojnë se jam kapur, por unë jam njeri që kam lirinë, dhe në burg kam qenë më i lirë se këta që janë jashtëe që rrinë si skllevër.
Koha do të tregojë se kush ka të drejtë. Nuk jam i kapur nga askush, as nga PS e as nga askush. Unë dua që PD mos të jetë pronë private, por në parti të ketë garë. Si vetë-përjashtoheshkam unë? Çfarë është ky vetë-përjashtim? Berisha ka thënë se do zgjidh problemet që kam me SHBA-të dhe nuk ka zgjidhur asgjë”, u shpreh Salianji.
Çfarë rrëfeu Berisha:
Berisha rrëfen bisedën me Salianjin para se të lirohej nga burgu: Ai mori fund që kur e birësuan politikisht
Ai zgjodhi vetë birësimin, iku, mori fund. Kur tjetri birësohet, bën zgjedhjen e tij. Politikisht e kam fjalën. E ka bërë, nuk kam ç’i bëj unë. Për dijeni, meqë jemi këtu. Një ditë më vjen nga burgu në zyrë, se mirë është meqenëse e hapëm bisedën, dhe më thotë, erdha të të marr një mendim. Çfarë mendimi, i them unë. Urdhëro, e prita mirë. Sigurisht, kemi bërë gjithçka për ta cilësuar të burgosur politik dhe e ka merituar plotësisht. Çfarë mendimi? Tani, thotë, më kanë ngelur tre muaj burg. Për të dalë më takon të dal sipas ligjit, por kërkojnë një deklaratë në të cilën duhet të garantoj se nuk do vras Fatmir Xhafën.
Kush ta kërkon këtë? Ma kërkon gjykata dhe drejtoria e burgut.
I them unë, po ti je i burgosur politik. Nuk ke punë me Fatmir Xhafën, nuk je zënë, nuk je sharë, nuk je rrahur me Fatmir Xhafën.
Meqë më pyet mua, unë të këshilloj që një deklaratë të tillë të mos e bësh se ti merr fajësinë në këtë mes. Të thuash që unë nuk kam ndërmend të vras Fatmir Xhafën, do të thotë se Fatmir Xhafa të burgosi ty se e ke kërcënuar.
Kjo është e vërteta. Natyrisht, ai ishte në burg dhe unë nuk mund të merrja përsipër më shumë se kaq.
Këshilla ime është që ju të mos e firmosni se kjo të fajëson dhe ti je i ri në karrierë dhe ke karrierë përpara.
Mirë, tha. Iku.
Doli, erdhi.
Çfarë bëre me atë? Jo, tha, nuk ma kërkuan më.
Tani, të tjerat lexojini vetë.
Kështu që, nuk është përgjegjësia ime për atë që birësohet politikisht këtu apo aty, apo këndej dhe andej.
Ka bërë zgjedhjen e tij".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






