

Sektori i turizmit në Dubai po përballet me një rënie të ndjeshme të kërkesës, duke reflektuar drejtpërdrejt në uljen e çmimeve të akomodimit dhe shërbimeve të lidhura me të.
Industria, e konsideruar si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së emiratit, ka hyrë në një fazë ngadalësimi, ndërsa hotelet luksoze kanë nisur të ofrojnë tarifa më të ulëta për të tërhequr vizitorë. Struktura të njohura si Atlantis The Palm tashmë ofrojnë dhoma nga rreth 282 euro për natë, nga mbi 600 euro që kushtonin më parë. Po ashtu, komplekse rezidenciale si Pearl Marina kanë ulur çmimet deri në rreth 53 euro për natë, ndërsa Hyatt Regency Dubai ofron akomodim nga rreth 62 euro.
Rënia e kërkesës është reflektuar edhe në transportin ajror. Kompania Cyprus Airways ka ulur çmimet e biletave vajtje-ardhje në rreth 180 euro, një nivel që deri vonë konsiderohej i pazakontë për këtë destinacion.
Paralelisht, janë raportuar edhe problematika teknike në aplikacione navigimi si Google Maps, që dyshohet të lidhen me ndërhyrje në sistemet e navigimit. Autoritetet lokale kanë ndërmarrë masa shtesë sigurie, përfshirë kufizime të shpejtësisë së automjeteve, me qëllim shmangien e situatave të panikut.
Ndikimi i krizës po ndjehet edhe te komuniteti i huaj që jeton dhe punon në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku një pjesë e shtetasve të huaj ka nisur të largohet, ndërsa të tjerë përpiqen të përshtaten me kushtet e reja ekonomike.
Një ndër sektorët më të prekur mbetet jeta e natës, me biznese që operojnë me kapacitete të reduktuara dhe që, në disa raste, kanë detyruar stafin të marrë leje pa pagesë ose kanë shkurtuar oraret e punës.
Ndërkohë, edhe tregu i pasurive të paluajtshme ka shfaqur shenja ngadalësimi, megjithëse ekspertët vlerësojnë se mbetet relativisht i qëndrueshëm. Në përpjekje për të nxitur kërkesën, edhe tregtarët e arit kanë nisur të aplikojnë ulje çmimesh, duke synuar të tërheqin investitorë dhe turistë në këtë periudhë sfiduese.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






