Transmetuar më 23-03-2026, 16:18

ITALI – Një operacion antidrogë i zhvilluar nga policia italiane ka çuar në arrestimin e tre personave, mes tyre dy shtetas shqiptarë, si dhe në sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të drogës dhe parave cash.

Operacioni është realizuar nga oficerët e Seksionit të Krimit të Huaj në kuadër të Skuadrës Fluturuese të Milanos dhe përfshin një hetim të shtrirë në periudhën shtator 2022 – mars 2023. Urdhër-arrestet janë ekzekutuar në mesin e marsit 2026.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesa në zonat e Osio Sopra dhe Milano, policia ka zbuluar para të fshehura në mure, si dhe lëndë narkotike, kryesisht kokainë dhe hashash.

Në pranga kanë rënë dy shqiptarë, të moshave 39 dhe 52 vjeç – ky i fundit në arrest shtëpiak – si dhe një shtetas italian 64-vjeçar. Njëri prej të arrestuarve shqiptarë u kap me 4.5 kilogramë kokainë.

Gjatë operacionit u sekuestruan 53 mijë euro cash, 4.5 kilogramë kokainë dhe 1.7 kilogramë hashash. Në total, hetimet që përfshijnë provincat e Bergamos dhe Milanos kanë çuar në sekuestrimin e rreth 12 kilogramëve drogë dhe 90 mijë eurove në para të gatshme.

Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbuluar lidhjet e mundshme të këtij grupi me rrjete më të gjera të trafikut të lëndëve narkotike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit