

Një zjarr ka përfshirë mesditën e sotme bimësinë e thatë në një kanal pranë vendit të njohur si “Pushimi i shoferit”, përgjatë autostradës Lushnjë–Fier.
Sipas informacioneve nga terreni, flakët, të favorizuara nga era e fortë, janë përhapur me shpejtësi duke iu afruar disa bizneseve në zonë. Për këtë arsye, janë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.
Në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë forcat zjarrfikëse të Bashkisë Lushnjë, si dhe policia e qarkullimit rrugor, duke ndërhyrë për të vënë situatën nën kontroll.
Falë ndërhyrjes së shpejtë, vatra e zjarrit është izoluar në kohë, duke shmangur përhapjen e mëtejshme dhe rrezikun për bizneset pranë zonës së prekur.
Autoritetet theksojnë se ngjarje të tilla mund të kenë pasoja serioze, sidomos në kushte të temperaturave të larta dhe erërave të forta. Paraprakisht dyshohet se zjarri ka qenë aksidental dhe mund të jetë shkaktuar nga hedhja e një cigareje nga një automjet në lëvizje.
Shërbimet zjarrfikëse bëjnë apel për më shumë kujdes nga qytetarët, në mënyrë që të shmangen raste të ngjashme që mund të rrezikojnë jetën dhe pronën.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






