Transmetuar më 23-03-2026, 13:11

Një ngjarje e rëndë dhe tragjike ka ndodhur të dielën në fshatin Majac, në Podujevë, ku tre persona kanë humbur jetën, përfshirë edhe autoren e dyshuar.

Sipas informacioneve zyrtare, një grua rreth 31 vjeçe, e identifikuar si Ardita Gashi, dyshohet se fillimisht ka qëlluar me armë zjarri një burrë rreth 45 vjeç nga Obiliqi, Ilaz Brahimi, i cili është gjetur pa shenja jete brenda një veture të bardhë të tipit VW me targa lokale.

Pas këtij akti, e dyshuara dyshohet se ka hyrë në shtëpinë e një familjareje të saj, ku ka qëlluar edhe 73-vjeçaren Miradije Gashi, bashkëshorten e xhaxhait të saj. Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin edhe anëtarë të tjerë të familjes, përfshirë renë e viktimës së moshuar dhe fëmijët e saj. Sipas familjarëve, e moshuara dyshohet se është marrë peng përpara se të plagosej rëndë.

Të dyja gratë janë gjetur me shenja jete dhe janë transportuar në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Rreth orës 03:35 të mëngjesit, 73-vjeçarja Miradije Gashi nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në spital.

Ndërkohë, më vonë ka ndërruar jetë edhe autorja e dyshuar, Ardita Gashi, e cila dyshohet se pas kryerjes së krimit ka qëlluar edhe veten me armë zjarri. Sipas burimeve mjekësore, ajo ndodhej në gjendje shumë të rëndë para se të humbte jetën.

Ngjarja është raportuar rreth orës 18:40 të së dielës, më 22 mars 2026, kur policia është njoftuar për një person pa shenja jete në një automjet në Majac. Gjatë ndërhyrjes, autoritetet kanë konstatuar se një person i armatosur ndodhej brenda një shtëpie, duke refuzuar komunikimin dhe duke paraqitur rrezik për veten dhe për të tjerët. Në vendngjarje kanë ndërhyrë Njësia Speciale Intervenuese dhe negociatorët, të cilët më pas kanë arritur të neutralizojnë situatën.

Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja dhe prova të tjera materiale që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.

Policia e Kosovës e ka ricilësuar rastin si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivin e kësaj ngjarjeje tragjike që tronditi zonën.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit