

Mungesa e fuqisë punëtore po thellohet në Shqipëri, duke prekur veçanërisht sektorin e transportit, ku bizneset po përballen me vështirësi të vazhdueshme për të siguruar drejtues mjetesh.
Fenomeni lidhet ngushtë me emigrimin e punëtorëve drejt vendeve të Bashkimi Europian, ku kushtet dhe pagat janë dukshëm më të larta. Një pjesë e punonjësve të huaj, të cilët hyjnë në tregun shqiptar, nuk qëndrojnë për periudha të gjata, por e përdorin vendin si një pikë tranziti për të vijuar drejt Europës Perëndimore.
Kriza për shoferë nuk është e re. Që prej disa vitesh, kompanitë e transportit kanë hasur vështirësi serioze në plotësimin e vendeve të punës, sidomos për drejtues kamionësh. Largimi i shoferëve shqiptarë drejt vendeve si Gjermani, ku paga mujore mund të kalojë 2 mijë euro, ka thelluar më tej boshllëkun në treg.
Si një zgjidhje e përkohshme, bizneset iu drejtuan tregut ndërkombëtar të punës, duke punësuar punonjës nga vende si Egjipt. Megjithatë, kjo masë nuk ka rezultuar e mjaftueshme për të stabilizuar situatën.
Për të mbajtur dhe tërhequr punonjës, kompanitë janë detyruar të rrisin ndjeshëm pagat, në disa raste deri në 30–50%. Aktualisht, një shofer kamioni në Shqipëri mund të përfitojë deri në 2500 euro në muaj, një nivel që disa vite më parë konsiderohej i paarritshëm për këtë profesion në vend.
Megjithatë, diferenca me tregjet europiane mbetet e konsiderueshme. Në Gjermani pagat për shoferët e kamionëve arrijnë deri në 4 mijë euro në muaj, ndërsa në Itali rreth 3 mijë euro. Në Greqi paga mesatare është rreth 2100 euro, ndërsa në Maqedonia e Veriut varion nga 1300 deri në 2000 euro.
Mungesa e shoferëve nuk kufizohet vetëm në transportin e mallrave. Vështirësi po hasen edhe në shpërndarjen e produkteve ushqimore, si dhe në transportin urban. Në Tiranë, operatorët e linjave të autobusëve raportojnë mungesë drejtuesish për shërbimin publik.
Në përpjekje për të ruajtur stafin, kompanitë e transportit urban kanë rritur gjithashtu pagat. Aktualisht, një shofer autobusi paguhet mesatarisht rreth 90 mijë lekë në muaj, por edhe kjo nuk po mjafton për të plotësuar nevojat e tregut.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






