

TIRANË – Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, komentoi protestën e opozitës që u zhvillua më 22 mars, duke theksuar se aksioni nuk arriti efektin e pritur për ndryshim politik.
Përmes një postimi në platformën X, Salianji u shpreh se me këtë qasje, kryeministri Edi Rama nuk mund të rrëzohet, ndërsa fajin për korrupsionin e vendos tek qeverisja dhe jo tek qytetarët.
“Si gjithmonë lidershipi premtoi rrëzimin e Ramës, por prodhuan vetëm një xhiro në bulevard. Kështu jo vetëm që nuk rrëzohet Edi Rama, por në fakt po mbahet në këmbë,” shkroi Salianji. Ai shtoi se protestuesit janë heronj për qëndrimin e tyre ndaj qeverisjes së korruptuar, por kritikon lidershipin e opozitës si pa strategji dhe vizion, i zhytur në premtime politike që nuk lidhen me pritshmëritë reale të qytetarëve.
Salianji vuri gjithashtu në dukje se qytetarët nuk duhet të paguajnë kosto shtesë për protestat, duke përmendur përdorimin e gazit dhe molotovëve, dhe se zgjidhja e vërtetë është gara, vota dhe zgjedhjet, të cilat sipas tij janë rruga për rikthimin fitues të Partisë Demokratike.
Ai e lidhi gjithashtu simbolikën e 22 marsit me pluralizmin shqiptar dhe me qëllimin e Partisë Demokratike për të sfiduar regjimet, duke theksuar se kjo datë nuk duhet të shërbejë për kultin e personalitetit të askujt.
Postimi i Salianjit:
Si gjithmonë lidershipi premtoi rrëzimin e Ramës, por prodhuan vetëm një xhiro në bulevard. Kështu jo vetëm që nuk rrëzohet Edi Rama, por në fakt po e mbahet në këmbë. Fajin për korrupsionin e ka Rama dhe jo qytetarët, bizneset dhe rrugët e Tiranës!
Protestuesit kundër Ramës janë heronj. Edhe pas 13 vitesh, ata vazhdojnë të qëndrojnë, të rezistojnë dhe të reagojnë përballë një qeverisjeje të degraduar dhe thellësisht të korruptuar si ajo e Edi Ramës.
Policia e Ramës sillet joprofesionale dhe mbyt me gaz qytetin por fatkeqësisht, lidershipi i opozitës është pa strategji, pa vizion dhe i zhytur në premtime fantazmagorike e në delir politik. Pa asnjë lidhje me pritshmëritë reale të shoqërisë. Të trembur vetëm nga humbja e karrigeve të tyre, ata as dinë dhe as duan të dëgjojnë zërin e demokratëve që kërkojnë ndryshim të vërtetë që mundëson largimin e Ramës!
Qytetarët e Tiranës nuk kanë pse mbajnë asnjë kosto shtese prej keqqeverisjes, as gazin as molotovët!
22 Marsi është dita e pluralizmit shqiptar. Dita e kthesës historike pas 45 vitesh vrasjesh, persekutimi dhe shtypjeje të ndërgjegjes. Institucioni politik që krijuan shqiptarët e lirë dhe të guximshëm ishte Partia Demokratike e Shqipërisë: partia e rinisë, e intelektualëve të lirë, e ndryshimit dhe e shpresës europiane.
Kjo është simbolika e 22 Marsit. Kjo datë nuk mund dhe nuk duhet t’i shërbejë kultit të personalitetit të askujt.
Sepse Partia Demokratike nuk u krijua për të mbajtur karrige, por për të rrëzuar regjime. Dhe kush e ka harruar këtë, është bërë pjesë e problemit, jo e zgjidhjes.
Zgjidhja është e qartë: gara, vota dhe zgjedhjet. Vetëm kështu Partia Demokratike mund të rikthehet fituese!
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






