Transmetuar më 22-03-2026, 23:06

TIRANË – Policia e Shtetit njoftoi se gjatë protestës së organizuar nga Partia Demokratike, e cila u përshkallëzua në akte dhune ndaj forcave të rendit, gjashtë efektivë u lënduan.

Sipas njoftimit zyrtar, të plagosurit, pjesëtarë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës dhe në QSUT “Nënë Tereza”. Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.

Policia bëri apel gjatë tubimit që pjesëmarrësit të mos ushtronin dhunë dhe të mos sulmonin efektivët me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, por një pjesë e protestuesve sulmoi forcat e rendit.

Autoritetet theksuan se kishin marrë masat e nevojshme për ruajtjen e institucioneve dhe rendit publik, duke garantuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por dënuan me forcë aktet e dhunës ndaj punonjësve dhe institucioneve shtetërore.

Njoftimi i Policisë:

"Gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, i cili u përshkallëzua në akte dhune ndaj forcave të rendit, u lënduan 6 punonjës policie.

Të dëmtuarit, përkatësisht efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në QSUT. Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.

Policia e Shtetit, gatë tubimit u bëri thirrje, nëpërmjet Qendrës së Zërit, pjesëmarrësve në tubim të mos ushtronin akte dhune dhe të mos sulmonin punonjësit e Policisë me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, por një pjesë e pjesëmarrësve sulmuan punonjësit e Policisë.

Policia e Shtetit kishte marrë masa për ruajtjen e institucioneve, rendit dhe sigurisë publike dhe mbetet tërësisht e angazhuar, për të garantuar ushtrimin e së drejtës qytetare për të protestuar. Njëkohësisht, dënon me forcë aktet e dhunës së përsëritur ndaj punonjësve të Policisë në krye të detyrës, si dhe ndaj institucioneve shtetërore.",njoftoi policia.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit