

Mungesa e njoftimit për gjobat rrugore po kthehet në një shqetësim të shtuar për drejtuesit e mjeteve në vend, të cilët shpesh i zbulojnë masat administrative me vonesë.
Qytetarët raportojnë se, në shumë raste, nuk informohen në kohë për shkeljet e kryera, duke e mësuar ekzistencën e gjobave vetëm kur ndalohen nga policia rrugore ose gjatë verifikimeve në platformën e-Albania.
Sipas ekspertit të sigurisë rrugore, Fadil Likaj, kjo praktikë nuk është efektive dhe nuk ndikon në ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve. Ai thekson se, në momentin e konstatimit të shkeljes së Kodit Rrugor, drejtuesi duhet të ndalohet dhe të njoftohet menjëherë, në mënyrë që të kuptojë gabimin dhe të shmangë përsëritjen e tij.
Një tjetër problematikë, sipas Likajt, lidhet me faktin se jo të gjithë qytetarët përdorin rregullisht platformën elektronike, ku pasqyrohen këto masa administrative, çka krijon boshllëqe në informim dhe rrit ndjesinë e padrejtësisë.
Ekspertët sugjerojnë që autoritetet të forcojnë komunikimin me qytetarët, duke rikthyer praktika më të drejtpërdrejta njoftimi, si vendosja e fletëgjobës në automjet apo informimi i menjëhershëm në terren.
Sipas tyre, qëllimi kryesor duhet të jetë jo vetëm ndëshkimi i shkeljeve, por edhe edukimi i drejtuesve të mjeteve dhe rritja e sigurisë rrugore në vend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






