Transmetuar më 22-03-2026, 14:18

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur zonën Ponte Galeria në Romë, duke shkaktuar shembjen e një pallati dhe dëmtime në disa banesa përreth, si dhe panik mes banorëve.

Deri më tani janë konfirmuar dy persona të plagosur rëndë, të dy të moshuar, një burrë e një grua të moshës 86 dhe 84 vjeç, të cilët u transferuan në Spitalin Sant’Eugenio.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën Via Tavagnasco, ku sipas dyshimeve paraprake, shpërthimi i një bombole gazi ka qenë shkaku i incidentit. Si pasojë e forcës së shpërthimit, përveç pallatit të shembur, janë dëmtuar edhe të paktën tre banesa të tjera.

Muret e ndërtesave janë shkatërruar pothuajse plotësisht, ndërsa inertet kanë dëmtuar edhe disa automjete të parkuara në afërsi. Shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë, duke arritur të nxjerrin dy persona nga rrënojat, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, pasi ekzistojnë dyshime se persona të tjerë mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja.

Ndërkohë, rreth 70 banorë janë evakuuar nga zona dhe po qëndrojnë jashtë banesave të tyre për arsye sigurie.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të shpërthimit, ndërsa zona mbetet e izoluar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit