

Kryeministri Edi Rama ka thirrur në një takim në selinë qendrore të Partisë Socialiste 12 drejtuesit e rinj politikë në qarqe, në kuadër të riorganizimit të strukturave drejtuese.
Takimi zhvillohet një ditë pas ndryshimeve të shpallura në Asamblenë e Partia Socialiste e Shqipërisë, e mbajtur në Durrës, ku kryesocialisti prezantoi emrat e rinj dhe lëvizjet në drejtimin politik të qarqeve.
Sipas vendimeve të marra, Taulant Balla është caktuar drejtues politik për qarkun Tiranë. Ndërkohë, Erion Malaj do të drejtojë qarkun Kukës, ndërsa Ulsi Manja kalon nga Lezhë në drejtimin politik të Dibër.
Po ashtu, Enea Karakaçi emërohet drejtues në Shkodër, ndërsa Blendi Klosi zhvendoset nga Dibra për të marrë drejtimin e qarkut Durrës. Ermal Nufi vendoset drejtues në Lezhë.
Në disa qarqe nuk ka ndryshime: Arbjan Mazniku mbetet drejtues politik në Elbasan, ashtu si Belinda Balluku në Fier dhe Niko Peleshi në Korçë.
Gjithashtu, në detyrë mbeten Mirela Kumbaro në Gjirokastër, Ervin Demo në Berat dhe Bledi Çuçi në Vlorë.
Ndërkohë, nga strukturat drejtuese janë larguar Benet Beci, Emirjana Sako, Elisa Spiropali dhe Eduart Shalsi.
Këto lëvizje konsiderohen pjesë e një ristrukturimi të brendshëm të Partisë Socialiste, me synim forcimin e organizimit politik në nivel vendor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






