

Kryeministri Edi Rama deklaroi në podcastin “Flasim” se qeveria synon rritjen deri në 70% të pagave për ushtarakët brenda këtij mandati.
Sipas tij, buxheti i vitit 2026 parashikon një rritje prej afro 12% të fondeve për mbrojtjen, krahasuar me vitin e mëparshëm, në përputhje me angazhimet e vendit ndaj NATO.
Rama bëri të ditur se rritja e pagave për ushtarakët ka hyrë në fuqi që në muajin janar, ndërsa në mbledhjen e fundit të qeverisë është miratuar edhe mbulimi i kostos së transportit për çdo ushtarak aktiv.
Ai e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të trajtimit të Forcave të Armatosura, duke theksuar se synimi është një pagë konkurruese dhe një trajtim financiar dinjitoz për efektivët.
“Kur miratuam buxhetin e vitit 2026, vendosëm t’i japim mbrojtjes afro 12% më shumë fonde sesa viti i mëparshëm, në përputhje me angazhimet tona ndaj NATO-s dhe për të garantuar një trajtim gjithnjë e më dinjitoz të forcave tona të armatosura. Rritja e pagave ka hyrë në fuqi që nga janari dhe kemi miratuar gjithashtu mbulimin e kostos së transportit për çdo ushtarak aktiv. Synimi ynë mbetet që deri në fund të mandatit paga e ushtarit bazë të arrijë nivelin mesatar të vendeve të NATO-s, me një rritje deri në 70%”, u shpreh Rama.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






