

Shqipëri – Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, e cila përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe dhe simbolizon ringjalljen, shpresën dhe fillimin e një dite të re.
Kryeministri Edi Rama uroi besimtarët me disa pamje nga teqeja e Helvetive në Berat, një nga më të bukurat në Ballkan, ku qetësia dhe harmonia janë shenja e besimit dhe përkushtimit shpirtëror.
Fjala “Nevruz” do të thotë “Dita e re” në persisht, ndërsa “Sulltan” është titull i lartë. Në Shqipëri, kjo ditë filloi të festohej që nga shekujt XIV, me përhapjen e bektashizmit, dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut, dhëndrit të profetit Muhamed dhe një nga imamët e mëdhenj të të gjitha kohërave.
Siç ka shkruar poeti Naim Frashëri:
“Sot është një ditë e re që përsëritet moti, lind Vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vet Zoti.”
Imam Aliu njihet për diturinë, drejtësinë dhe përpjekjen për përparimin njerëzor. Ai la pas tre parime të përhershme: shkallën e të menduarit, unitetin njerëzor dhe drejtësinë, duke mbetur simbol i përhershëm i besimtarëve dhe dijetarëve.
Traditat dhe festimet
Në këtë ditë, besimtarët pijnë një gotë qumësht, që simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi shënon gjithashtu 31-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, një event ku mori pjesë edhe Nënë Tereza.
Gatimet tradicionale përfshijnë:
Byrek me 12 lloje barishtesh (spinaq, lëpjetë, majdanoz, lakër, kopër, gjethe prasi, labot, qepë, oriz, etj.) me një monedhë metalike brenda; ai që e gjen monedhën konsiderohet me fat për vitin që vjen. Përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur. Sultiash, ëmbëlsira karakteristike e ditës, përbërë nga qumësht, oriz dhe sherbet. Në disa raste, gatuhet edhe kabuni me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra.
Kjo festë simbolizon ringjalljen e jetës, shpresën dhe begatinë, duke qenë një nga ditët më të shënuara për komunitetin bektashian.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






