

KUBË – Një ndërprerje e përgjithshme e energjisë elektrike ka përfshirë të gjithë territorin e Kubës, duke lënë mbi 10 milionë banorë pa furnizim me energji.
Ministria e Energjisë dhe Minierave bëri të ditur se sistemi elektroenergjetik kombëtar pësoi një kolaps të plotë, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikthimin gradual të furnizimit. Autoritetet kanë nisur procedurat për rivendosjen e energjisë, duke i dhënë përparësi infrastrukturës kritike si spitalet dhe shërbimet e emergjencës.
Sipas raportimeve, ndërprerja ndodhi pas një defekti në një prej centraleve kryesore termike, i cili shkaktoi një efekt zinxhir në të gjithë rrjetin kombëtar.
Kjo është ndërprerja e radhës në një seri krizash energjetike që kanë goditur vendin muajt e fundit. Vetëm pak ditë më parë, Kuba përjetoi një tjetër blackout që zgjati më shumë se 24 orë, ndërsa ndërprerjet janë bërë të shpeshta për shkak të mungesës së karburantit dhe amortizimit të infrastrukturës.
Qeveria kubane fajëson sanksionet e Shteteve të Bashkuara për përkeqësimin e situatës, duke theksuar se kufizimet ndaj importeve të naftës kanë vështirësuar mirëmbajtjen dhe funksionimin e sistemit energjetik. Nga ana tjetër, mungesa e furnizimeve nga Venezuela ka thelluar më tej krizën energjetike në ishull.
Ndërprerjet e përsëritura të energjisë po ndikojnë ndjeshëm në jetën e përditshme të qytetarëve, duke shkaktuar probleme në shërbimet shëndetësore, biznes dhe furnizimin me ushqime, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet e brishtë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






