

Shqipëri – Të ardhurat nga platformat e rezervimeve online po marrin përmasa të konsiderueshme në tregun vendas. Sipas të dhënave zyrtare, përmes platformës Booking.com janë gjeneruar rreth 80.1 milionë euro gjatë periudhës janar–shtator 2025 nga individë dhe biznese që ofrojnë akomodim.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se disponon të dhëna të detajuara mbi rezervimet dhe shitjet e realizuara në këtë platformë, ku rezultojnë të regjistruar 17,225 subjekte – përfshirë biznese dhe individë.
Nga kjo veprimtari, vetëm komisionet e paguara ndaj Booking.com arrijnë në rreth 12.8 milionë euro.
Administrata tatimore u ka bërë thirrje të gjithë individëve që kanë siguruar të ardhura nga dhënia e akomodimit përmes platformave online që t’i deklarojnë ato në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025). Ndërkohë, bizneset duhet të verifikojnë nëse deklarimet e tyre janë në përputhje me të dhënat e raportuara, për të shmangur rivlerësimet tatimore.
Autoritetet paralajmërojnë se mosdeklarimi i të ardhurave përbën shkelje të legjislacionit tatimor dhe shoqërohet me penalitete sipas ligjit. Afati për dorëzimin e DIVA 2025 është 31 mars 2026.
I njëjti detyrim ligjor vlen edhe për subjektet që gjenerojnë të ardhura përmes platformës Airbnb.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






