Transmetuar më 21-03-2026, 20:15

Itali – Guardia di Finanza ka publikuar bilancin e vitit 2025 në luftën kundër krimit të organizuar, duke raportuar rezultate rekord në sekuestrimin e pasurive me origjinë të paligjshme.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 janë zhvilluar 1,351 hetime, ku janë përfshirë gjithsej 7,442 subjekte, mes tyre 5,568 individë dhe 1,874 persona juridikë. Në kuadër të këtyre hetimeve, janë propozuar sekuestrime me vlerë mbi 3.3 miliardë euro, ndërsa pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara arrijnë në rreth 1.6 miliardë euro.

Autoritetet theksojnë se lufta ndaj krimit të organizuar nuk kufizohet vetëm në masa represive, por përfshin edhe parandalimin e infiltrimit kriminal në ekonomi. Në këtë drejtim, janë kryer rreth 66 mijë aktivitete administrative, përfshirë kontrolle në kantierë ndërtimi dhe procedura për lëshimin e dokumentacionit antimafia.

Ndërkohë, vlera e aseteve të kompanive që janë vendosur nën mbikëqyrje administrative ose gjyqësore, sipas legjislacionit përkatës, arrin në 29.6 milionë euro.

Rezultate të rëndësishme janë shënuar edhe në luftën kundër trafikimit të narkotikëve. Gjatë vitit 2025 janë sekuestruar mbi 33 ton drogë, kryesisht kokainë, hashash dhe marihuanë, ndërsa më shumë se 800 persona janë proceduar. Po ashtu, janë sekuestruar asete financiare me vlerë 8 milionë euro nga trafikantët, si dhe janë kryer konfiskime që tejkalojnë 3.5 milionë euro.

Operacionet kryesore në disa qytete italiane:

Reggio Calabria – Janë konfiskuar pasuri dhe para në dorë me vlerë 140 milionë euro nga pesë biznesmenë të lidhur me organizatën kriminale ‘Ndrangheta, të përfshirë në pastrim parash përmes një skeme mashtrimi tatimor në sektorin e karburanteve. Catania – Është ekzekutuar një masë parandaluese mbi 40 milionë euro ndaj një individi të lidhur me klanet Santapaola-Ercolano dhe Cappello-Bonaccorsi. Janë sekuestruar 89 prona dhe 20 biznese, përfshirë tetë jashtë vendit, të lidhura me aktivitetin e paligjshëm në bastet online. Brescia – Janë arrestuar 24 persona pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, që importonte narkotikë nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Operacioni çoi në sekuestrimin e rreth 3 milionë eurove në asete dhe para të gatshme. Trieste – Një organizate kriminale e përfshirë në trafikimin e paligjshëm të mbetjeve i janë sekuestruar pasuri me vlerë 92 milionë euro. Në skemë ishin të përfshirë 11 individë dhe gjashtë kompani.

Autoritetet italiane theksojnë se objektivi kryesor mbetet goditja financiare e organizatave kriminale, duke i privuar ato nga fitimet e paligjshme dhe duke mbrojtur ekonominë e ligjshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit