

E sheh partneren duke folur me ish-in dhe shpërthen situata: ja pse humbi jetën 30-vjeçari në Itali
Një moment xhelozie që përfundoi në tragjedi – detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Itali

Gjergj Pergegaj
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në Arezzo të Italisë, ku një konflikt i papritur mes të rinjve ka përfunduar në mënyrë tragjike. Viktima është 30-vjeçari me origjinë shqiptare, Gjergj Pergegaj, i cili humbi jetën pas një përplasjeje të ndodhur në zonën e Olmos.
Ngjarja ndodhi pranë një rrethrrotullimi të njohur në fillim të rrugës Via Romana, në një zonë të frekuentuar me lokale dhe aktivitete tregtare. Sipas informacioneve paraprake, gjithçka ka nisur kur një 35-vjeçar pa partneren e tij duke biseduar me ish-partnerin e saj.
Situata ka dalë shpejt jashtë kontrollit dhe janë dëgjuar disa të shtëna. Sipas dëshmive, janë qëlluar katër herë drejt 30-vjeçarit, i cili u gjet pa shenja jete nga shërbimet e emergjencës që mbërritën në vendngjarje rreth orës 23:40.
Menjëherë pas ngjarjes, autori është larguar, ndërsa forcat e rendit kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi, duke ngritur pika kontrolli dhe duke kërkuar një automjet tip Audi të bardhë. Në operacion janë përfshirë edhe karabinierët.
Rreth dy orë më vonë, një kthesë e papritur ka ardhur në hetime: vetë autori ka telefonuar numrin e emergjencës 112, duke deklaruar se ishte ai përgjegjës dhe duke treguar vendndodhjen e tij në zonën kodrinore të Rigutinos. Ai është gjetur brenda automjetit, me armën e përdorur ende me vete, dhe është dorëzuar pa rezistencë.
35-vjeçari, gjithashtu me origjinë shqiptare dhe pa precedentë penalë, është arrestuar dhe ndodhet në burg, ndërsa akuzohet për vepra të rënda. Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht motivet dhe dinamikën e ngjarjes, ndërsa pista kryesore mbetet ajo e një konflikti me motive personale.
Viktima jetonte në zonën e Frassineto-s dhe punonte si kamerier në një restorant lokal. Trupi i tij është dërguar në morgun e spitalit San Donato në Arezzo, ku pritet të kryhen ekzaminimet përkatëse. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka rikthyer vëmendjen mbi konfliktet që mund të përshkallëzohen në mënyrë të papritur.

Në foto: Në të majtë është Gjergj Përgegaj, viktima i krimit; në të djathtë është një shenjë e lënë nga një prej të shtënave (foto nga Alessandro Falsetti, La Nazione)
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






