

Tiranë, 21 Mars 2026
Kryeministri Edi Rama riktheu në vëmendje ndryshimet kushtetuese që ka paralajmëruar më parë, me qëllim uljen e numrit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij përpara Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama u ndal edhe te ligji për referendumet, duke theksuar se shqiptarët do të thirren për të shprehur mendimin e tyre mbi çështje të rëndësishme: “Të thonë se kush është me kë dhe kush është për çfarë”.
Sipas kryeministrit, ligji i ri për referendumet mund të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar. Ai shtoi se ndryshimet për riorganizimin e Kuvendit janë të domosdoshme, duke përfshirë edhe uljen e numrit të deputetëve dhe përmirësimin e infrastrukturës: Kuvendi aktual ka burime të pamjaftueshme dhe mungon një ndërtesë adekuate për funksionimin e tij.
Rama u shpreh se procesi konsultativ do të zgjasë deri në fund të prillit dhe më pas deri në fund të qershorit, duke përfshirë të gjitha procedurat dhe zgjedhjet brenda Partisë Socialiste. Ai nënvizoi se këto reforma janë të domosdoshme për të konsoliduar funksionimin e Kuvendit dhe për të garantuar pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në vendimmarrje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






