

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Bashkimi Evropian mbetet një prioritet kyç për Shqipërinë, duke theksuar se negociatat e anëtarësimit po ecin pa ndërprerje dhe pritet të përmbyllen brenda mandatit aktual të qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se procesi i integrimit evropian nuk është thjesht teknik, por një çështje me rëndësi kombëtare, duke shtuar se, sipas tij, narrativa kundërshtuese e së kaluarës është përmbysur nga zhvillimet e fundit.
“Negociatat për BE nuk janë ndalur në asnjë moment. Vlerësimi i Komisioni Evropian për Shqipërinë është shumë pozitiv. Ne do t’i mbyllim negociatat brenda mandatit tonë,” u shpreh Rama.
Ai kritikoi kundërshtarët politikë, duke i akuzuar se më herët e kanë konsideruar të pamundur integrimin, ndërsa tani, sipas tij, po ndryshojnë qëndrimet për shkak të progresit të arritur.
Kryeministri theksoi gjithashtu se administrata shqiptare është e angazhuar intensivisht në këtë proces, me struktura të tëra që punojnë çdo ditë për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga negociatat.
Sipas Ramës, asnjë pengesë e jashtme nuk do të mund të ndalë avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






