

Ndërron jetë në moshën 54-vjeçare aktori i njohur i “Buffy the Vampire Slayer”, Nicholas Brendon

Aktori amerikan Nicholas Brendon, i njohur për rolin e tij në serialin kult “Buffy the Vampire Slayer”, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare.
Familja e tij konfirmoi lajmin në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se ai ndërroi jetë në gjumë për shkaqe natyrale.
“Ai ishte pasionant, i ndjeshëm dhe gjithmonë i përkushtuar ndaj krijimtarisë. Ata që e njihnin vërtet e dinin se arti i tij ishte pasqyrimi më i pastër i asaj që ai ishte,” thuhet në deklaratën e familjes.
Brendon u bë i famshëm për rolin e Xander Harris në serialin “Buffy the Vampire Slayer”, ku luajti për shtatë sezone nga viti 1997 deri në 2003, përkrah aktores Sarah Michelle Gellar.
Gjatë karrierës së tij, ai u nominua tre herë për çmimet Saturn, dy herë si aktor më i mirë në televizion dhe një herë si aktor dytësor.
Pas suksesit me “Buffy”, ai u shfaq në disa seriale të njohura si “Criminal Minds”, “Private Practice” dhe “Kitchen Confidential”, si dhe në filma si “Psycho Beach Party”, “Big Gay Love” dhe “Redwood”.
Në vitet e fundit, Brendon ishte përkushtuar edhe ndaj artit të pikturës, një pasion që, sipas familjes, e kishte zbuluar së fundmi.
Aktori kishte folur hapur për problemet e tij shëndetësore dhe personale, përfshirë një infarkt në zemër, operacione në shtyllën kurrizore dhe sfida me varësinë nga substancat dhe alkooli.
Ai gjithashtu jetonte me belbëzim dhe ishte angazhuar si zëdhënës për ndërgjegjësimin mbi këtë çështje.
Familja theksoi se, pavarësisht vështirësive të së kaluarës, Brendon ishte në trajtim dhe shpresonte për të ardhmen në momentin e ndarjes nga jeta.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






