Transmetuar më 21-03-2026, 11:01

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi sot se vendi nuk e ka mbyllur Ngushticën strategjike të Hormuzit, por ka vendosur kufizime për anijet që lidhen me shtetet e përfshira në luftën SHBA–Izrael kundër Iranit.

Në një intervistë për agjencinë japoneze Kyodo, Araghchi tha se kalimi në këtë rrugë detare mbetet i hapur, ndërsa Irani është i gatshëm të ndihmojë vendet që nuk janë pjesë e konfliktit.

“Ngushtica nuk është mbyllur. Ajo është e hapur,” u shpreh ai.

Ai shtoi se Irani është i gatshëm të lehtësojë kalimin e anijeve japoneze dhe se bisedimet me Tokion për këtë çështje janë në zhvillim.

Sipas tij, Teherani nuk kërkon një armëpushim të përkohshëm, por një fund të plotë dhe të qëndrueshëm të luftës, me garanci që sulmet nuk do të përsëriten dhe me kompensim për dëmet e shkaktuara.

Araghchi theksoi se kufizimet janë vendosur vetëm për anijet që lidhen me vendet që marrin pjesë në konflikt, ndërsa për të tjerat Irani është i gatshëm të sigurojë kalim të sigurt.

Ai bëri të ditur gjithashtu se kjo çështje është diskutuar me homologun japonez Toshimitsu Motegi, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Ministri iranian dënoi luftën, duke e cilësuar atë si një akt të paligjshëm dhe të paprovokuar, që ndodhi pavarësisht negociatave indirekte mes Teheranit dhe Uashingtonit për programin bërthamor.

“Ky ishte një akt agresioni i paligjshëm. Reagimi ynë është vetëmbrojtje dhe do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme,” tha ai.

Araghchi u bëri thirrje vendeve të tjera, përfshirë Japoninë, të mbajnë një qëndrim kundër sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa theksoi se Irani mbetet i hapur ndaj iniciativave diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.

Ndërkohë, forcat iraniane kanë ndërmarrë sulme kundërpërgjigjëse ndaj bazave amerikane në rajon dhe objektivave izraelite, pas ofensivës ushtarake që nisi më 28 shkurt.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit