Transmetuar më 21-03-2026, 08:40

Tiranë — Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një aksion në zonën e ish-Bllokut për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga subjekte të ndryshme. Policia Bashkiake, nën drejtimin e nënkryetarit Blendi Sulaj, ndërhyri në terren duke hequr dhe sekuestruar tavolina, karrige dhe pajisje të tjera të vendosura jashtë rregullave të përcaktuara.

Gjatë kontrolleve u konstatua se disa biznese kishin zaptuar hapësirat publike pa respektuar kufijtë dhe detyrimet përkatëse, duke penguar qarkullimin dhe përdorimin e tyre nga qytetarët.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, deklaroi se ky aksion do të shtrihet në të gjithë kryeqytetin dhe synon garantimin e barazisë mes bizneseve dhe respektimin e ligjit.

“Sot kemi nisur një aksion në të gjithë Tiranën për të evidentuar dhe ndëshkuar çdo rast abuzimi me hapësirat publike. Ne mbështesim zhvillimin e biznesit, por kërkojmë që të gjithë të operojnë në kushte të barabarta. Çdo subjekt që nuk respekton rregullat dhe nuk paguan për hapësirën që zë, do të përballet me masa konkrete, përfshirë heqjen e objekteve të vendosura në mënyrë të paligjshme,” u shpreh Sulaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi, duke theksuar se hapësirat publike janë pronë e përbashkët dhe duhet të jenë në shërbim të të gjithëve.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Policisë Bashkiake, Elona Lalaj, njoftoi se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjithë territorin e Tiranës.

“Së fundmi kemi intensifikuar kontrollet ndaj subjekteve që tejkalojnë hapësirat e lejuara. Çdo biznes apo individ që zë hapësirën publike në kundërshtim me rregullat do të përballet me masa ndëshkuese. Verifikimet do të shtrihen në rrugët kryesore dhe në lagje, duke përfshirë edhe rastet e zënies së hapësirave për parkim të paligjshëm,” deklaroi Lalaj.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike do të vijojë në të gjithë kryeqytetin, me qëllim parandalimin e zaptimeve dhe garantimin e përdorimit të tyre nga qytetarët.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit