

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të mbledhë këtë të shtunë Asamblenë Kombëtare të PS-së në Durrës, në një takim që pritet të fokusohet te riorganizimi i strukturave partiake dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme.
Mbledhja vjen pas zhvillimeve të fundit në qeveri dhe sinjaleve për nisjen e një procesi zgjedhjesh të brendshme në parti. Punimet do të nisin në orën 10:00 me fjalën hapëse të Sekretarit të Përgjithshëm, Blendi Klosi, për t’u vijuar më pas nga fjala e kryesocialistit Rama.
Sipas axhendës, Asambleja do të analizojë punën e organizatave socialiste në të gjithë vendin, si dhe performancën e partisë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Një tjetër pikë e rëndësishme do të jenë udhëzimet për zhvillimin e zgjedhjeve të brendshme në parti.
Në fokus të diskutimeve do të jetë edhe përgatitja për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ku drejtuesit e PS synojnë të forcojnë strukturat dhe organizimin në nivel lokal.
Ndërkohë, pritet të miratohet edhe një nismë për zgjerimin e partisë në diasporë. Sipas një projektvendimi, socialistët synojnë ngritjen e një rrjeti të organizuar në disa shtete ku jeton një numër i madh shqiptarësh, përfshirë Italinë, Greqinë, Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë.
Projekti parashikon gjithashtu krijimin e një baze të dhënash për anëtarët dhe përkrahësit e PS jashtë vendit. Strukturat vendore do të angazhohen për të rikontaktuar qytetarët që kanë qenë pjesë e fushatave të mëparshme, duke i informuar për mundësinë e regjistrimit si anëtarë apo mbështetës të partisë.
Sipas dokumentit, procesi i regjistrimit do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






