

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se po punon për ndërtimin e një alternative serioze politike në Kosovë, përmes një projekti që synon bashkimin e spektrit të djathtë.
Në një prononcim për A2 CNN, Abdixhiku theksoi se iniciativa e tij nuk është thjesht një bashkim partish, por një përpjekje për të ndërtuar një drejtim të qëndrueshëm politik me vizion të qartë.
“Thirrja ime dhe projekti që po ndërtoj nuk është çështje kombinimi partish. Është një proces që buron nga nevoja për drejtim të djathtë të Kosovës, për parime të qëndrueshme politike dhe për një vizion të qartë për vendin”, u shpreh ai.
I pyetur nëse pjesë e këtij projekti mund të bëhet edhe presidentja Vjosa Osmani, Abdixhiku nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por theksoi se synimi është bashkimi i të gjithë atyre që historikisht i përkasin vizionit të LDK-së.
“Në këtë fazë jemi të përqendruar në bashkimin e të gjithë atyre që historikisht i përkasin këtij vizioni. Nuk po bëjmë aritmetikë politike, por po ndërtojmë përmbajtje politike”, deklaroi ai, duke shtuar se së shpejti priten sqarime të tjera.
Rikthimi i mundshëm i Osmanit në LDK apo përfshirja në një listë të përbashkët shihet nga analistët si një zhvillim me përfitime të ndërsjella, megjithëse jo i lehtë për t’u realizuar për shkak të ndasive të brendshme.
Ndërkohë, analisti Belgzim Kamberi theksoi se një bashkëpunim i tillë kërkon jo vetëm dakordësi politike, por edhe menaxhim të kujdesshëm të qëndrimeve brenda partisë.
Në këtë kontekst, ai nënvizoi se çdo iniciativë duhet të mbështetet në një platformë të qartë politike dhe jo vetëm në bashkimin e figurave, duke dhënë përgjigje konkrete për sfidat aktuale të vendit.
Përveç Osmanit, në këtë projekt është përfolur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, e cila ka një histori bashkëpunimi me LDK-në që nga koha e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






