Transmetuar më 20-03-2026, 19:46

Një vrasje e ndodhur në Itali 27 vjet më parë, kishte mbetur deri tani pa autorë të prangosur, por kjo situatë mori fund sepse ata janë kapur në Dibër ku fshiheshin nën identitete të rreme për afro tre dekada.

Interpol Tirana ekstradoi sot drejt Italisë dy shtetas të dënuar për vrasje, të kapur në Dibër, gjatë operacionit policor të koduar “Difficult Conditions”, i zhvilluar në kushte të vështira terreni dhe moti.

Dy kushërinjtë, të renditur në listën e 100 personave më të kërkuar në Itali, që prej vitit 1999 fshiheshin në Dibër dhe përdornin identitete të tjera.

Operacioni për kapjen e tyre u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e Ekspertit për Sigurinë në Shqipëri dhe Shërbimin për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë.

Në përfundim të procedurave për ekstradim, ditën e sotme, nga Interpol Tirana, u ekstraduan drejt Italisë shtetasit:

Andon (alias Afrim) Sina, 52 vjeç;

Niko (alias Faslli) Sina, 49 vjeç, të dy banues në fshatin Rreth-Kalë, Dibër.

Kur kryen krimin e rëndë, i pari ishte 25 vjeç kurse tjetri 22 vjeç.

Këta shtetas janë dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit e Napolit, në Itali, në vitin 2006, me nga 14 vjet e 11 muaj burgim secili, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasja e mbetur në tentativë”.

Në komunën Gricignano d’Aversa, më datë 22.09.1999, ata kanë vrarë me sende të forta dhe mjete prerëse shtetasin shqiptar B. C. dhe kanë plagosur rëndë shtetasin shqiptar F. S., për arsye të lidhura me ndarjen e të ardhurave nga aktivitete të paligjshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit