

Qeveria ka vendosur rikthimin e “Bordit të Transparencës” për karburantet, një mekanizëm që do të përcaktojë çmime tavan për tregun e hidrokarbureve, pas rritjes së ndjeshme të çmimit të naftës në tregun vendas.
Sipas të dhënave nga tregu, çmimi i naftës ka arritur deri në 217 lekë për litër në disa pika karburanti në Tiranë, duke shënuar një rritje të fortë brenda një kohe të shkurtër. Në këtë kontekst, autoritetet kanë paralajmëruar ndërhyrje për stabilizimin e tregut.
Paralelisht me rikthimin e bordit, Këshilli i Ministrave ka vendosur uljen me 20% të akcizës së karburantit, nga 39.6 lekë në 31.68 lekë për litër. Kjo masë pritet të reflektohet në një ulje të çmimit final për konsumatorët, e vlerësuar në rreth 8 deri në 10 lekë për litër, duke përfshirë edhe efektin e TVSH-së.
Sipas vendimit, do të përcaktohen gjithashtu marzhe fitimi të kufizuara për operatorët e tregut: 3 lekë për tregtinë me shumicë dhe 12 lekë për tregtinë me pakicë. Bordi i Transparencës do të mblidhet në mënyrë periodike dhe do të referohet në bursat ndërkombëtare për përcaktimin e çmimeve.
Qeveria argumenton se masat synojnë lehtësimin e barrës fiskale dhe rritjen e transparencës në treg, si dhe parandalimin e abuzimeve me çmimet. Ndërkohë, është paralajmëruar se subjektet që shkelin çmimet tavan do të përballen me ndëshkime administrative.
Rritja e fundit e çmimeve të karburanteve në vend është lidhur nga faktorë ndërkombëtarë, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme dhe zhvillimet në tregjet globale të energjisë.
Në të njëjtën kohë, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim për sjelljen e operatorëve në treg, ndërsa aktorë të ndryshëm ekonomikë kanë propozuar masa shtesë për të zbutur ndikimin e çmimeve tek konsumatorët.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






