

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, ka thirrur mbledhjen e radhës të Asamblesë Kombëtare të kësaj force politike, e cila do të zhvillohet këtë të shtunë në orën 10:00 në Gjirin e Lalëzit, në Durrës.
Sipas mesazhit të shpërndarë këtë të martë për anëtarët e Asamblesë, mbledhja vjen pas njoftimit të bërë nga Rama në takimin e fundit të Kryesisë së partisë.
Në fokus të punimeve pritet të jetë organizimi i brendshëm i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe procesi i ristrukturimit të saj, në prag të sfidave të ardhshme politike.
Burime nga partia bëjnë me dije se në rendin e diskutimeve do të përfshihen edhe zgjedhjet e reja në strukturat drejtuese të degëve lokale, si dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor.
Edhe pse agjenda zyrtare nuk është bërë ende publike, mësohet se fjalën hapëse në Asamble do ta mbajë Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Blendi Klosi, ndërsa më pas pritet të flasë kryesocialisti Rama.
Mbledhja në Gjirin e Lalëzit shihet si një moment i rëndësishëm për organizimin e brendshëm të partisë në funksion të zhvillimeve politike të ardhshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






