

Zbardhen detaje të reja nga dëshmia e dhënë në polici nga drejtori i burgut të Rrogozhinës, i cili u arrestua një ditë më parë pas zbulimit të një magazine me kultivim kanabisi, ku u sekuestruan 1105 bimë narkotike, ambient që dyshohej se ishte në emër të tij.
Pas marrjes në pyetje dhe zhvillimit të hetimeve, Bilal Hasa është liruar nga paraburgimi, ndërsa vëllai i tij, Romario Hasa, është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Sipas burimeve nga hetimi, në deklarimet e tij në polici, Hasa ka pretenduar se ambienti në fjalë administrohej nga vëllai i tij. “Magazinat i administronte vëllai im, Romario”, mësohet të ketë deklaruar ai. Ky version është mbështetur edhe nga babai i tyre, i cili ka pohuar se kontrata e përdorimit ishte në emër të djalit tjetër të familjes. Gjithashtu, Hasa ka paraqitur një kontratë që, sipas tij, rezultonte në emër të Romario Hasës.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit në polici, Bilal Hasa dhe babai i tij janë përgjuar, ku në një bisedë ata i referohen të vëllait me shprehjen: “Na shkatërroi”.
Në kuadër të hetimeve, është arrestuar edhe një faturist i OSHEE-së, Erion Dekovelli, i cili akuzohet se nuk ka raportuar konsumin e energjisë elektrike në objektin në fjalë. Ai, nga ana e tij, ka deklaruar se kontratat e furnizimit me energji janë lidhur me Romario Hasën.
Po ashtu, dy zyrtarë të OSHEE në Peqin, Ervis Maçi dhe Denis Elezi, janë shpallur në kërkim nga policia, në lidhje me rastin në hetim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






