Transmetuar më 20-03-2026, 12:36

Tragjedi për familjen shqiptare në Itali. Dhimbja e fëmijëve për të atin që vdiq në Ditën e Baballarëve

Aksident i rëndë në një kantier ndërtimi në qendër të Modenës, humb jetën 52-vjeçari me origjinë shqiptare.

Viktima është Murat Tafçiu, baba i katër fëmijëve, banues në Cavezzo, zona e amodena, Itali, raporton noa.al.

Ngjarja ndodhi në kantierin e ish-Bankës së Italisë, ndërsa rrethanat janë ende nën hetim nga autoritetet përkatëse.

Çfarë ndodhi

Ngjarja ndodhi rreth orës 08:45, gjatë punimeve restauruese në ndërtesën historike të ish-Bankës së Italisë, pranë gjykatës. Tafciu, i cili jetonte prej kohësh në Cavezzo, po punonte në anën e rrugës “via Carmelitane Scalze”, në një kantier të menaxhuar nga një kompani ndërtimi, ndërsa ai ishte i punësuar nga një firmë nënkontraktore.

Sipas të dhënave paraprake, 53-vjeçari ndodhej mbi një skelë rreth 2 metra lartësi, ku po kryente një ndërhyrje në një pjesë dekorative të ndërtesës. Papritur, një pjesë e madhe e kornizës së murit, rreth 1.5 metra, u shkëput dhe i ra sipër. Goditja e fortë e rrëzoi nga skela, duke i shkaktuar një dëmtim të rëndë në kokë. Ai humbi ndjenjat menjëherë.

Kolegët dhanë alarmin dhe në vendngjarje mbërritën menjëherë ambulanca dhe ekipi mjekësor. Pavarësisht përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, mjekët u detyruan të konstatonin vdekjen rreth orës 09:30.

Policia dhe ekspertët e sigurisë në punë nisën hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Paraprakisht është përjashtuar përfshirja e personave të tretë dhe dyshohet se shkaku ishte shkëputja e papritur e pjesës së rëndë të ndërtesës. Megjithatë, janë ngritur pyetje mbi kushtet e sigurisë në kantier dhe mënyrën e realizimit të punimeve. Prokuroria ka hapur një çështje për hetime të mëtejshme.

Tragjedia, familja në lot: “Babi im, nuk është e mundur…”

Dhimbja e familjarëve ishte rrëqethëse, veçanërisht e vajzës së tij, e cila për orë të tëra thërriste mes lotësh: “Babi im, babi im! Nuk është e mundur…”.

Dhimbja e familjarëve ishte rrëqethëse, veçanërisht e vajzës së tij, e cila për orë të tëra thërriste mes lotësh: “Babi im, babi im! Nuk është e mundur…”.

Vajza e tij nuk reshti së qari, duke thirrur babanë e saj mes dëshpërimit, në një moment që u bë edhe më i rëndë pasi ngjarja ndodhi pikërisht në Ditën e Babait, më 19 mars.

Edhe vëllai i viktimës dhe të afërm të tjerë, përfshirë tre fëmijët e tij, u shfaqën të shkatërruar nga dhimbja për humbjen e papritur të një njeriu që ishte shtylla e familjes. Ata qëndruan pranë vendit të ngjarjes deri në mesditë, derisa trupi u largua për ekzaminime të mëtejshme.

Reagon bashkia

Kryetari i Bashkisë së Modenës, Massimo Mezzetti, shprehu ngushëllimet për familjen dhe kolegët e viktimës, duke theksuar se një humbje e tillë është shumë e rëndë dhe duhet të shërbejë si reflektim për të gjithë.

“Një punëtor që humb jetën është një fakt shumë i rëndë që duhet të vërë në lëvizje të gjithë, nga institucionet te bizneset dhe sindikatat”, u shpreh ai.

Mezzetti theksoi gjithashtu se numri i aksidenteve në punë mbetet shqetësues, duke kujtuar se vetëm në vitin 2025 janë regjistruar 13 viktima në provincë. Ai njoftoi se janë planifikuar fonde për fushata ndërgjegjësuese mbi sigurinë në punë.

Edhe kryetari i bashkisë së Cavezzo, Stefano Venturini, reagoi duke shprehur dhimbjen për humbjen e bashkëqytetarit, duke e cilësuar ngjarjen si një tragjedi që prek të gjithë komunitetin.

“Jemi përballë një tjetër humbjeje në vendin e punës, që tregon urgjencën për të garantuar kushte më të sigurta në çdo ambient pune. Nuk duhet të mësohemi me këto ngjarje”, tha ai.

Nga ana tjetër, sindikatat reaguan ashpër. Përfaqësues të Cisl Emilia Centrale e cilësuan ditën si një tjetër moment të rëndë për qytetin, duke theksuar se aksidentet e tilla mund të parandalohen me masat e duhura të sigurisë.

Sipas tyre, rëniet nga lart janë ndër shkaqet kryesore të humbjeve të jetës në sektorin e ndërtimit dhe mund të shmangen përmes përdorimit të pajisjeve mbrojtëse dhe trajnimit të duhur.

Edhe Cgil dhe Fillea Cgil e Modenës theksuan se siguria në punë vazhdon të trajtohet si kosto dhe jo si e drejtë themelore, duke kërkuar masa konkrete dhe investime serioze në parandalim.

Sindikatat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, duke theksuar se në Itali vijojnë të ndodhin aksidente fatale në punë me një ritëm alarmues, që arrin mesatarisht disa viktima në ditë.

Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit