

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka shprehur kritika të ashpra ndaj sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, duke e cilësuar atë si një nga arsyet e dështimit të partisë.
Gjatë një interviste Salianji deklaroi se Partia Demokratike duhet të rikthehet te parimet dhe të funksionojë si një forcë politike e lirë dhe e hapur.
Ai theksoi se, përveç ndikimit të shtetit dhe grupeve kriminale në zgjedhje, problem mbetet edhe vetë funksionimi i brendshëm i partisë.
“Nëse qëndrojmë vetëm te ndikimi i jashtëm, nuk do të fitojmë kurrë. Nuk mund të jemi si Rama, por as nuk mund ta mundim atë me një ‘Ramë’ tjetër brenda partisë,” u shpreh Salianji.
Në vijim, ai u tregua edhe më i drejtpërdrejtë ndaj Nokës, duke deklaruar se nuk do ta mbante as në një rol minimal brenda strukturave të partisë.
“Ai është fytyra e dështimit të PD dhe aksidenti më i madh që ka partia,” tha Salianji.
I pyetur për rolin e Sali Berisha dhe arsyen pse ai e mban Nokën në krah, Salianji u shpreh kritik edhe ndaj drejtimit aktual të partisë, duke theksuar se ai vetë nuk i është bashkuar individëve, por shumicës së demokratëve.
Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi arsyet e humbjeve të njëpasnjëshme të Partisë Demokratike, duke përmendur dobësitë në përzgjedhjen e kandidatëve dhe mungesën e analizës së brendshme.
Salianji theksoi se në disa zona urbane, ku ndikimi i grupeve kriminale është minimal, rezultatet negative tregojnë probleme të brendshme të partisë.
Deklaratat e Salianjit:
“Influenca e shtetit në zgjedhje është në një nivel të caktuar dhe influenca e grupeve kriminale është në një nivel të caktuar. Por nëse ne rrimë vetëm në këtë dimension ne nuk fitojmë kurrë. Ne nuk mund të jemi si Rama. Por nuk mund të mundim Ramën, me një Ramë tjetër brenda partisë. Nokën edhe rojë nuk e mbaj unë po të jetë për mua. Ai është një njeri që ka probleme me ligjin, me grupe kriminale, ka akuza për korrupsion. Dhe ai është fytyra e dështimit të PD dhe aksidenti më i madh që ka PD”, u shpreh Salianji.
Përse Berisha e mban afër?
Salianji: Sepse vetëm ai mund të thotë ato gomarllëqe. Unë nuk i jam bashkuar Nokës, por kam bërë betejë. Unë kam thënë dhe jam kundër gjithçkaje përfaqëson Berisha, po i jam bashkuar shumicës së demokratëve. Por a mund të thotë dot njeri se cili grupi kriminal bëri që të humbë PD? Çfarë ka përdorur PS në Korçë që ka këtë rezultat që ka sot? A mund t’i themi demokratëve të vërtetat që lista ishte katastrofë… Si ka mundësi që PD humb në çdo qendër urbane ku ndikimi i grupeve kriminale është zero? Tani si ka mundësi që Kruja të fitojë? A na tregon që dy njerëz që janë të rinj morën vota… Pra u votuan njerëz që vlejnë…
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






