

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Pogradecit, ku një vajzë 10-vjeçare është sulmuar nga qeni i një fqinji, duke pësuar lëndime.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në hyrje të lagjes “Goricë”, në momentin kur dy të mitura ndodheshin në zonë. Njëra prej tyre është kafshuar nga qeni, i cili më pas e ka tërhequr për disa metra, duke i shkaktuar plagë në trup.
Banorët e lagjes shprehen se qeni në fjalë ka qenë problematik prej kohësh dhe përbënte rrezik për komunitetin, ndërsa, sipas tyre, ankesat e përsëritura ndaj pronarit nuk janë marrë në konsideratë.
Ngjarja është referuar për procedim penal, ndërsa poseduesi i qenit pritet të përballet me përgjegjësi ligjore për mosmarrjen e masave të sigurisë.
E mitura është transportuar në spitalin e Pogradecit, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






