Transmetuar më 20-03-2026, 09:01

20 Mars, 2026

Mijëra besimtarë myslimanë në Elbasan morën pjesë në faljen e Fitër Bajramit, duke mbushur sheshin kryesor dhe një pjesë të bulevardit të qytetit.

Ceremonia e faljes u zhvillua në orët e para të mëngjesit dhe shënoi përmbylljen e muajit të shenjtë të Ramazanit. Besimtarët u mblodhën në një atmosferë të qetë dhe solemne për të kryer ritualin e faljes dhe për të ndarë urimet me njëri-tjetrin.

Muftiu i Elbasanit, Agim Duka, në mesazhin e tij theksoi rëndësinë shpirtërore të kësaj dite, duke e cilësuar atë si një moment gëzimi dhe falënderimi ndaj Zotit.

“Sot është dita kur zemra mbushet me gëzim dhe mirënjohje ndaj Allahut, Krijuesit të gjithësisë. Kjo është dita e shpërblimit dhe e mëshirës. Bajrami nuk është thjesht një festë, por një mesazh hyjnor dhe një kujtesë se Allahu është mbi gjithçka, mbi pasurinë, pushtetin, frikën dhe padrejtësinë,” u shpreh ai.

Ai gjithashtu bëri thirrje për lutje dhe solidaritet me popujt që po përballen me luftëra dhe konflikte në botë.

“Sot, kur shumë popuj janë në përballje me luftëra e konflikte, lutjet tona shkojnë për ata njerëz që vuajnë,” shtoi muftiu.

Ndërkohë, besimtarët u shprehën se Fitër Bajrami është një ditë që simbolizon dashamirësinë, paqen dhe mirëkuptimin.

“Kjo është një ditë kur ndajmë dashuri dhe respekt me njëri-tjetrin. Në një kohë kur bota po përballet me luftëra dhe vuajtje, kjo festë na kujton rëndësinë e paqes, dashurisë dhe solidaritetit,” u shprehën disa prej tyre.

Fitër Bajrami, së bashku me Kurban Bajramin, mbetet ndër festat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë, duke përcjellë vlera të forta shpirtërore dhe njerëzore, si mirënjohja, sakrifica dhe përkujdesja për njëri-tjetrin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit