

Mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën në sheshin Skënderbej për të falur namazin e Fitër Bajramit, duke shënuar përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Pas 30 ditësh agjërimi, përkushtimi dhe reflektimi shpirtëror, besimtarët kremtuan një nga festat më të rëndësishme të kalendarit islam, në një atmosferë solemniteti dhe solidariteti.
Kreu i Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bujar Spahia, përcolli mesazhin e tij me rastin e kësaj dite të shenjtë, duke vënë theksin te situatat e vështira që përjetojnë shumë njerëz në botë.
Ai theksoi se lutjet në këtë ditë shkojnë për të gjithë ata që vuajnë nga konfliktet dhe padrejtësitë, veçanërisht për fëmijët që rriten në kushte pasigurie dhe për familjet që përballen me humbje dhe dhimbje.
“Konfliktet, luftërat dhe padrejtësitë vazhdojnë të marrin jetë njerëzish të pafajshëm. Ka familje që sot nuk e ndjejnë gëzimin e kësaj dite, por dhimbjen e humbjes dhe pasigurinë për të nesërmen. Në këtë ditë të bekuar, lutjet tona shkojnë për të gjithë ata që vuajnë, për fëmijët që rriten mes frikës dhe zhurmës së luftës, për nënat që presin me ankth një lajm për bijtë e tyre dhe për popujt që kërkojnë paqe dhe drejtësi”, u shpreh Spahia.
Ai nënvizoi se mesazhi i fesë islame është paqja, mëshira dhe drejtësia, duke shtuar se çdo besimtar është i thirrur të jetë një burim i këtyre vlerave në shoqëri. Sipas tij, bota sot ka nevojë më shumë se kurrë për mirëkuptim, drejtësi dhe vëllazëri njerëzore, ndërsa paqja fillon nga individi, familja dhe komuniteti.
Pas ceremonisë së faljes, besimtarët shkëmbyen urime me njëri-tjetrin, ndihmuan nevojtarët përmes sadakasë dhe u mblodhën pranë familjeve për drekën tradicionale të festës.
Çfarë është Fitër Bajrami, një ndër festat më të mëdha islame?
Fiter Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga fakti se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, dhe kështu në këtë mënyrë festojnë së bashku këtë festë. Zoti ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fitër Bajramit, gëzim për myslimanët, ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.
Namazi i Bajramit është obligim i domosdoshëm për çdo mysliman. Muhammedi i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz. Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit. Namazi i Bajramit ka dy rekate dhe dallon prej namazeve tjera për nga mënyra e faljes. Në rekatin e parë pas tekbirit fillestar merren shtatë tekbire, mandej lexohet sureja Fatiha dhe ndonjë sure tjetër. Pas plotësimit të rukusë dhe sexhdesë së rekatit të parë, ngritet për në rekatin e dytë dhe menjëherë merren pesë tekbire pas të cilëve lexohet Fatiha dhe ndonjë sure, më pas shkohet në ruku dhe sexhde e kështu përfundon namazi.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, uron të gjithë besimtarët myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin!
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






