Transmetuar më 20-03-2026, 00:08

Forcat e Armatosura të Iranit njoftuan sot se kanë nisur përdorimin për herë të parë të sistemeve të reja raketore të tipit “Nasrullah”.

Në një komunikatë për media, Garda e Revolucionit Islamik tha se gjatë valës së 65-të të operacionit të quajtur “Premtimi i Vërtetë 4”, janë goditur objektiva në Izrael, përfshirë rafineritë në Haifa dhe Ashdod, të cilat i cilësoi si ndër më të mëdhatë në vend, si dhe një sërë objektesh të sigurisë dhe qendrave logjistike ushtarake.

Sipas deklaratës, gjatë sulmit janë përdorur gjithashtu raketa me rreze të mesme veprimi si “Ghijam” dhe “Zolfiqar”, ndërsa sistemi i ri “Nasrullah” u përshkrua si një version më i avancuar dhe i drejtuar i raketave “Ghadr”.

Autoritetet iraniane pretenduan gjithashtu se janë goditur objektiva që lidhen me interesat amerikane në rajon, përfshirë një bazë ushtarake në Al-Kharj, e përshkruar si qendër logjistike dhe depo karburanti për avionë luftarakë, si dhe baza të tjera si “Sheikh Isa” dhe “Al-Dhafra”.

Sipas komunikatës, në këto sulme janë përdorur raketa me precizion të lartë, përfshirë variante me shumë koka luftarake si “Ghadr”, “Kheybarshakan”, “Ghijam” dhe “Zolfiqar”.

Pretendimet e bëra nga pala iraniane nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit