

Tiranë, 19 mars 2026
Teologu dhe imami i njohur, Ahmed Kalaja, ka folur në emisionin “Drejt” në Ora News për momentin shpirtëror që përjetojnë besimtarët gjatë natës së fundit të Ramazanit dhe rrezikun psikologjik që mund t’u kanoset pas përfundimit të muajit të agjërimit.
Kalaja shpjegoi se besimtarët shpesh ndihen të dyzuar: nga njëra anë gëzojnë përkushtimin dhe sakrificën e tyre, por nga ana tjetër përballen me merak nëse veprat e tyre janë pranuar nga Zoti. Ai paralajmëroi se kjo ndjenjë meraku është e rëndësishme për të shmangur “vetëpëlqimin”, një kurth shpirtëror ku njeriu mund të ndiejë superioritet ndaj të tjerëve pas adhurimit dhe bamirësisë.
“Nuk është se e mbyllëm me Zotin me muajin e Ramazanit dhe i lamë duart. Jeta vazhdon, Zoti po aty është, ne po aty jemi, ne kemi nevojë prapë për Zotin,” theksoi Kalaja, duke u bërë apel besimtarëve të ruajnë përulësinë dhe lidhjen e vazhdueshme me Krijuesin edhe pas përfundimit të agjërimit.
Ai vuri në dukje se nata e fundit e Ramazanit shërben si një kujtesë e fuqishme se adhurimi nuk duhet të shihet si një arritje për t’u mburrur, por si një detyrë shpirtërore që kërkon përulësi dhe reflektim të vazhdueshëm.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






